Kryetari i Bashkisë Gjirokastër thyen karantinën, shëtitje me skaf në Liqenin e Viroit
Bashkia Gjirokastër ka nisur sot pastrimin e sipërfaqes së Liqenit të Viroit nga bimësia, edhe pse problemi kryesor i këtij liqeni është mungesa e ujit gjatë muajve të verës për shkak të pakësimit të prurjeve të burimit. Për të parë nga afër punimet kishte dalë edhe vetë kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.
Nuk kishte zgjedhur të qëndronte në breg, por hyri në ujërat e liqenit me një varkë motorike të cilën e drejtonte vetë. Shpresojmë që të paktën të jetë i pajisur me patentë për mjetet lundruese.
Ndërkohë mësohet se Bashkia Gjirokastër po punon për një projekt i cili do të sigurojë furnizim alternativ me ujë të Liqenit të Viroit, në mënyrë që ai të ketë këtë pamje gjatë gjithë vitit dhe të shërbejë si një atraksion për vendasit e të huajt. Në kuadër të këtij projekti parashikohet gjithashtu që të ketë varka lundrimi për vizitorët, të shtohen shpendët, si dhe hapësira të tjera rekreative.