Emigrantët shqiptarë në Greqi, vjen lajm i mirë nga Ambasada Shqiptare në Athinë

Emigrantët shqiptarë në Greqi kanë më shumë mundësi për të zgjidhur problemet e tyre. Pandemia botërore ishte edhe për ta një bllokim, e sidomos për shumë prej atyre që u karantinuan në Greqi me kostot e tyre dhe riatdhesimi u kushtonte edhe më shumë.

Gjithsesi, tashmë kur edhe hapja në Greqi ka filluar të ndjehet emigrantëve u është rikthyer qetësia. Sepse, Ambasada e Shqipërisë në Athinë do të rifillojë punën të hënën e ardhshme më 18 maj. Lajmi është komunikuar nga Ambasada, nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare në Facebook.

Prioriteti i punës, sipas njoftimit, do të jetë realizimi i takimeve të prapambetura nga pandemia Covid-19 për pasaportë dhe kartë identiteti. Ambasada e Shqipërisë në Athinë publikon gjithashtu datat e reja, për takimet që ishin fiksuar për periudhën nga 13 mars-13 prill. Ajo tërheq vëmendjen se qytetarët që do të paraqiten për takimet, duhet të respektojnë me rigorozitet masat mbrojtëse për koronavirusin.

Ndërsa qytetarëve të cilët kanë përfunduar procesin e aplikimit për pasaportë në zyrën konsullore deri më 6 mars 2020 dhe presin vetëm tërheqjen e pasaportës, u kërkohet të shmangin grumbullimet fizike duke e kërkuar tërheqjen e saj nëpërmjet postës.