Basha pas protestës: Do mbështesim artistët, fundi i Ramës do vijë shpejt

Kreu i PD, Lulzim Basha ishte i pranishëm në protestën e sotme të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Në përfundim të protestës, Basha tha për mediat se opozita dhe Partia Demokratike do të mbështesin të gjitha protestat e artistëve.

Kryedemokrati theksoi edhe njëherë vendosmërinë e tij për të rindërtuar teatrin siç ishte dh enë vendin ku ishte.

“Opozita do të mbështesë të gjitha protesta për teatrin. Siç e patë sot, shpresa e Edi Ramë se përmes terrorit do të shuante dëshirën e shqiptarëve për ndryshim mori fund.

Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar nuk është fundi, por është fillimi i fundit të tiranisë dhe teatrit që Edi Rama ka luajtur 7 vjet. Ky fund do ti vijë shpejt. Përsëris edhe njëherë vendosmërinë time, për rindërtimin e teatrit në vendin ku ishte. Sot nisi një ditë e re shprese”, u shpreh Basha.

Pas përfundimit të protestës, e cila zgjati 2 orë e gjysmë, Basha dhe përfaqësues të tjerë të PD u nisën drejt selisë blu, ku do të zhvillojnë një mbledhje. Sakaq, protesta e radhës u njoftua nga regjisori Robert Budina se do të mbahet të mërkurën në orën 17:30.