Vlorë, arrestohet 62-vjeçarja, tentoi të fusë drogë në burg për djalin e dënuar

Policia e Vlorës ka arrestuar nënën e një të burgosuri e cila ka tentuar që të fusë drogë në ambientet e paraburgimit IEVP Vlorë.

Shtetasja me iniciale S.S. 62-vjeç ka shkuar për t’i dërguar ushqime djalit të saj, i cili vuan dënimin për vepër penale në fushën e narkotikëve.

Pas kontrollit të ushtruar, mes ushqimeve është gjetur një sasi lënde narkotike prej 100 gr., e dyshuar cannabis sativa.

Menjëherë, në vijim të veprimeve është arrestuar në flagrancë 62-vjeçarja S. S., me banim në Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.