Shkon në 124 numri i viktimave nga COVID-19 në Greqi

Në Greqi numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi ka shkuar në 124. Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 3 persona.

Një nga viktimat është një burrë 90-vjeçar që u kurua në spitalin Sotiria në Athinë. Sipas informacionit të parë, i ndjeri vuante nga një sëmundje kronike.

Më herët, një pacient 88-vjeçar që po kurohej në ICU AHEPA me sëmundje kronike vdiq në orët e para të së enjtes, po ashtu dhe një tjetër 76-vjeçar ndërroi jetë.

Mediat greke raportojnë se 7 raste të reja janë regjistruar në këto 24 orë, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të prekur ka shkuar në 2.408.

Nga këto, 573 kanë të bëjnë me udhëtime nga jashtë.

Në mesin e personave të shtruar në spital, 55 janë intubuar.

Mosha mesatare e tyre është 67 vjeç. 15 janë gra dhe pjesa tjetër janë burra.

Në të njëjtën kohë, 51 pacientë janë larguar nga ICU. Janë testuar gjithsej 56.944 mostra klinike.

Ndërkohë, në 4 maj pritet të nisë dhe faza e parë e rihapjes, ku qytetarëve nuk do u duhet më që të marrin autorizim për të dalë nga banesa.