Sarandë/ Pikëpyetjet e përdhunimit të 17-vjeçares

Një adoleshente, që sot është 17 vjeç,  pretendon se është abuzuar në moshë më të hershme. Sipas denoncimit që vetë e mitura ka bërë në polici në datën 21 prill, ajo pranon se me të është abuzuar seksualisht që në moshën 9-vjeçare.

Për këtë ajo ka denoncuar komshiun e saj, 72-vjeçarin Bajram Tusha si dhe dy të moshuar të tjerë të moshës 63 vjeç me inicialet B.L. dhe 54 vjeç me iniciale M.P. Deri në këto momente që flasim është arrestuar dhe është lënë në burg nga Gjykata e Sarandës vetëm Barjam Tusha.

Me të drejtë çdokush nga ju mund të shtrojë pyetjen përse vajza vendosi të denoncojë abuzuesin pas kaq vitesh? Po familja e adoleshentes çfarë roli ka luajtur dhe a i ka dhënë mbështetjen e mjaftueshme vajzës për të gjetur kurajën që të tregonte me gisht fqinjin e saj, që në fakt duhet theksuar se nuk është një ngjarje e lehtë për ta denoncuar publikisht, aq më tepër në një qytet të vogël si Saranda.

17-vjeçarja  prej një muaj e gjysëm ka nisur një histori dashurie me një djalë 34 vjeç, banor i fshatit Gjashtë. Në Sarandë na thanë nën zë se ndoshta vajza ka gjetur mbështetjen dhe përkrahjen e të dashurit. Ajo gjeti guximin t’i tregonte atij periudhën e errët të jetës së saj. Pikërisht ky djalë e ka shtyrë adoleshenten që të denoncojë komshiun e saj 72-vjeçar.

Por kush është ky djalë? Çfarë përfaqëson ai? Si e ka pritur familja e 17-vjeçares lidhjen me këtë djalë disa vite më të madh në moshë? Çfarë ka ndodhur mes tyre?

Cili është konflikti i mëhershëm mes të dashurit të vajzës dhe përdhunuesit të pretenduar 72-vjeçar ? Çfarë e lidh të dashurin e vajzës me vdekjen e djalit të të moshuarit në burgun grek të Koridhalos?

Po kështu, shtrojmë pyetjen edhe për prindërit e adoleshentes, se çfarë raporti kanë ata me 72-vjeçarin Bajram Tusha që akuzohet se ka abuzuar me vajzën e tyre? Çfarë ka ndodhur mes këtyre dy familjeve disa vite më parë?

I dashuri i vajzës: Prindërit e shfrytëzonin në këmbim të pagesës

Gentjan Ruçi është i dashuri i vajzës 17-vjeçare në Sarandë që ka denoncuar babain e saj, fqinjin Bajram Tusha dhe dy persona të tjerë për përdhunim.

Që në fillim të muajt Mars të vitit 2020, Gentjan Ruçi qëndronte jashtë ambienteve të komisariatit kur 17-vjeçarja mbërriti aty nën shoqërinë e babait.

Me iniciativën e tij, ai ka kërkuar të dëshmojë para oficerit të policisë gjyqësore. Sipas kësaj dëshmie të zbardhur nga emisioni ‘Uniko’, ai ka pranuar se është në një lidhje me adoleshenten.

Kjo lidhje nuk ka qenë e mirëpritur nga familja e saj. Me lejen e prindërve kam bashkëjetuar me vajzën 20 ditë. Në momentin që krijuam afrimitet, kuptova se tek vajza diçka nuk shkonte. 

Nga S.B. kam mësuar fakte se ajo ka qenë e shfrytëzuar seksualisht nga prindërit e saj dhe një shoku i babait të saj i quajtur Bajo Tusha. Sipas asaj që më ka thënë vajza, prindërit në këmbim të pagesës e lejonin që ajo të kryente marrëdhënie seksuale me persona të tjerë”, thuhet në dëshminë e Gentjan Ruçit.

Vetë prindërit e vajzës thonë se kjo e fundit është manipuluar nga i dashuri i saj, që sipas tyre, e shfrytëzon për prostitucion.