Rama: Berisha synon të shkatërrojë sërish vendin, burg për trimat e lagjes që hapin lokalet

Kryeministri Edi Rama i cilësoi si “minë me sahat” personat e pabindur të rregullave të emergjencës së rrugës.

Ai komentoi shqiptarët e nisur për në Shqipëri, ku njoftoi se në kufirin e Kakavijës s’ka asnjë problem, nuk ka asnjë person që kërkon të hyjë, ndërsa në Kapshticë janë 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi të cilët nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme, por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjen.

Do të dukej absurde në kohë tjetër por në këtë kohë dekurajojmë maksimalisht hyrjet në kufi, kush bën patriotin, kush bën vajtimtarin për shkeljet e të drejtave të njeriut përmes pengesës që iu krijohet njerëzve për të hyrë në atdheun e tyre synon të nxisë katastrofën.

Sali Berisha ka vetëm një synim, që si e si të shkatërrojë Shqipërinë dhe njëherë për llogaritë e tij haluçinante. E solla si emër si zanafillën e një procesi politik nxitje të rrëmujës, por në këtë rast nxitje të zinxhirit të vdekjeve që është shumë larg së qeni nëse do shkonim me mendtë e Saliut dhe gjithë atyre që i bien këtij avazi të fajshëm. Është e papranueshme që të nxitet kjo situatë dhe të nxiten njerëzit të vijnë drejt kufijve dhe të nxitet konflikti me policinë në kufi! Kufijtë janë të mbyllur”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se brenda 24 orëve të ardhshme, do të hyhet në një proces të ndërmjetëm dhe kush do të vij në kufi tokësor me dokumente rezidence në vende të tjera, nuk do lejohet të hyjë.

Po ashtu tha se kush do vijë në kufi me pretendime të një natyre tjetër, do karantinoret për 14 ditë në struktura hoteliere me shpenzime të veta, i mbyllur ku do marrë ushqimin dhe do paguajë vetë një çmim fiks.

Sipas tij, vetëm kështu mbrohet Shqipëria nga katastrofa dhe mundësohet hyrja për ata që janë vërtetë me arsye.

Ardhja nga shqiptarë rezidentë në vende të tjera, është e papranueshme. Brenda 24 orësh do bëhet publike si do veprohet për trajtimin e çdokujt që shfaqet në kufi me pretendimin që ka urgjencë, por çdo urgjencë do kalojë në 14 ditë karantinë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai njoftoi se do të zgjatet leja për pazar deri në 90 minuta, pa përcaktuar se që kur do të nisë një gjë e tillë.

Atëherë masat lehtësuese që ne duam të marrim kanë të bëjnë me aktivitetet e lejuara. Por marrja në makinë e personave të tjerë, familjarë do të ndëshkohet me disa vite, dhe do të caktohet, të heqjes së lejes së drejtimit, të sekuestrimit të makinës dhe të heqjes së lirisë. Marrja në makinë e një pensionisti do të ndëshkohet me heqje lirie, dhe me sekuestrim e heqje të lejes së drejtimit. Do të hapim orarin për të bërë pazaret, do të shtojmë edhe 90 minuta. Kryerja me automjet privat e pazarit do të jetë e mundur, por me sanksione të forta, heqje lirie, heqje patente dhe sekuestrim makine. Kemi parë fenomenin e shëmtuar të hapjes së lokaleve nëpër lagje për trimat e lagjes. Kemi vënë gjoba prapë vazhdon historia. Janë shumë pak, por janë mjaftueshëm për të na bërë një dëm shumë të madh. Hapja e aktivitetit të ndaluar do të dënohet me heqje lirie“, deklaroi kreu i qeverisë.