OBSH: Europa në qendër të “stuhisë” së COVID-19, java e ardhshme është kritike
“Europa është në qendër të stuhisë së pandemisë së COVID-19 dhe java e ardhshme ëshë faza më kritike për kontinentin”. Janë këto fjalët e kreut të OBSH-së për Europën, Hans Kluge, i cili gjatë një deklarate online u bëri thirrje vendeve anëtare të solidarizohen dhe të bashkëpunojnë ngushtë për ta nxjerrë kontinentin nga kjo stuhi.
Duke komentuar lehtësimin e masave që po bëjnë disa vende anëtare si Spanja, Italia, Gjermania, Austria, etj, Kluge bëri thirrje për kujdes, duke e konsideruar këtë fazë si tepër të paqartë dhe komplekse për pasojat që mund të sjellë.
Bashkimi Europian numëron rreth 1 milion të prekur, gjysmën e totalit të të gjithë globit. Ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në mbi 84 mijë.
Vendet më të prekura mbeten Spanja dhe Italia ku pandemia është nën kontroll. Këtë të enjte, në Spanjë u shënuan 551 viktima, 28 më shumë se dje, por gjithsesi një shifër e qëndrueshme.
Edhe në Itali, shifrat tregojnë rritje të qëndrueshme të viktimave dhe të prekurve, teksa numri i të infektuarve të rinj ka rënë ditët e fundit.
Shtetet e Bashkuara kanë shifrën më të lartë të të prekurve dhe viktimave si një vend i vetëm.
Pavarësisht kësaj, presidenti amerikan Donald Trump tha se piku është tejkaluar. Ai pritet të shpallë masa lehtësuese për riaktivizimin e gjithë ekonomisë së vendit, edhe në shtetet e federale ku aplikohen masa bllokuese. Guvernatori i New York, rajoni i të cilit ka gjysmën e të prekurve në shkallë kombëtare, tha se do të kërkojë vendosjen me detyrim të maskave nga popullsia.
I gjithë globi numëron mbi 2 milionë të prekur prej fillimit të pandemisë, çereku i të cilëve janë shëruar dhe mbi 136 mijë kanë humbur jetën.