“Ndihma e tretë”, Anila Denaj: Paketë rimëkëmbje për zhvillimin e sektorëve kyç

Këshilli i Investimeve ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshëm nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj për të diskutuar mbi situatën e krijuar në vend për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 dhe ndikimin mbi biznesin në Shqipëri.

Ministrja e Financace dhe Ekonomisë ka vënë theksin tek nevoja për ridimensionimin e zhvillimit ekonomik në periudhë afatmesme në disa sektorë kyç, të cilët së fundmi janë prekur nga pandemia COVID-19, ndërsa më parë nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Besoj që nuk ka kohë më të vlefshme se sa kjo aktuale që ne ta ridimensionojmë diskutimin e kësaj mbledhjeje të fundit të vitit 2019 me dy situata shumë të vështira që kalon Shqipëria, si në aspektin lokal, atë të tërmetit, ashtu edhe atë global, pandemisë së COVID-19, dhe ne të kemi mundësi që, për atë që u anonçua si paketa e tretë, të flasim për një paketë rimëkëmbje të një zhvillimi afatmesëm të sektorëve kyç, me mësime se si këto sektorë mund të ridimensionohen në të ardhmen, sikurse edhe ajo që unë kam anonçuar më parë, rivlerësimi i të gjithë paketës fiskale, e orientuar kryesisht nga FMN, në atë që është strategjia afatmesme e të ardhurave”, u shpreh Ministrja.

Përfaqësuesit e biznesit gjithashtu kërkuan që nga ana e Qeverisë të merren masa si në raport me disa industri të caktuara si ato fasonë, për të mbajtur në punë punonjësit, si dhe për ridimensionimin e kërkesave për penalitetet të cilat duhet të zbuten në këtë periudhë, si dhe për pushtetin vendor, i cili duhet të reflektojë me lehtesimin e taksave.

Ndërkohë, Denaj informoi bizneset edhe mbi paketën e dytë financiare të hartuar nga qeveria për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve të prekura për shkak të COVID-19, ndërsa pohoi se një pjesë e masave të përfshira në këtë paketë janë edhe sugjerime të vetë biznesit.