Kryebashkiaku i Vlorës, Leli: 1500 familjeve ndihma me ushqime, vijon puna për mbështetjen e qindra të tjerave
Prej ditësh, Bashkia e Vlorës është e përfshirë në një aksion të gjerë humanitar për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
Në vetëm pak ditë, filloi evidentimi i familjeve në vështirësi brenda territorit të Bashkisë Vlorë dhe më pas puna në terren për shpërndarjen e ndihmave ushqimore, e cila ende vijon të jetë në proces.
Ndihmat e miratuara nga fondet e bashkisë janë për 1500 familje , të evidentuara në vështirësi, ndërkohë që, në sajë të bashkëpunimit edhe me donator të ndryshëm, kësaj liste ianë duke iu shtuar edhe qindra të tjera.
Punonjës të administratës nga të gjitha hallkat dhe të tjerë të përfshirë në këtë proces si vullnetarë, janë bërë pjesë e këtij aksioni që po vazhdon me intensitet gjatë gjithë orëve të ditës.
“Jemi në terren dhe pranë të gjithë njerëzve që na kërkojnë mbështetje”, thotë për ATSH-në kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Ai thekson se, në këto ditë të vështira shfaqet edhe solidariteti i shoqërisë, i komunitetit, për të përballuar situata të tilla të jashtëzakonshme.
Pas shpërndarjes së pakove me produktet bazë të ushqimit të përditshëm, si vaj, sheqer, miell, oriz, makarona etj, paralelisht po punohet në bashkëpunim edhe me donatorët.
Java e kaluar ishte mjaft intensive, kjo në vijim është edhe më e gjerë. Numrat e telefonit të vënë në dispozicion në faqen web të Bashkisë, apo edhe në rrjetet sociale, janë mënyra e ndërsjelltë e komunikimit për të realizuar procesin e identifikimit dhe të asistencës, për të gjithë ata që janë të ekspozuar përballë riskut.
Përveç të moshuarve, pensionistë të vetmuar, të sëmurë, familjeve në asistencë, janë përfshirë në targetin e familjeve në nevojë edhe të tjera me probleme që nuk arrijnë të sigurojnë nevojat ushqimore.
“Po bëjmë gjithçka është e mundur që të amortizojmë pasojat dhe njerëzit të mos ndjejnë mungesat”, citon kryebashkiaku Leli, i cili shton se, po zhvillohet edhe një punë intensive sensibilizimi për të përfshirë në këtë aksion, individë dhe subjekte.
Ka mjaft shembuj në këtë drejtim, që përcjellin mbështetje dhe bashkëpunim konkret tek kryebashkiaku Leli, duke marrë prej tij falenderim dhe mirënjohje.
Ai thotë se,” Vlora e këtyre ditëve është Vlora e solidaritetit, e vlerave të mbështetjes dhe të humanizmit”. Prandaj dhe koordinimin dhe rakordimin e punëve për të realizuar gjithçka në formën më të mirë të mundshme, e cilëson edhe si një detyrim ndaj atyre njerëzve që janë ofruar me mundësi konkrete, duke hequr një pjesë të mundit nga përditshmëria e tyre.