Kriza e Covid dhe biznesi fason në Gjirokastër, si ka ndryshuar aktiviteti në kushtet e karantinës
Në orën 16:30 autobuzët shfaqen në Gjirokastër për të sjellë punëtorët që punojnë në sipërmarrjet e vogla në këtë qark. Transporti urban është i bllokuar dhe sipërmarrjet e përballojnë vetë transportin e punëtoreve, thotë për Zërin e Amerikës Alban Meksi, menaxher në njësinë e prodhimit të veshjeve me porosi “Cotex Textil”.
“Kemi pasur vështirësi për transportin e punëtorëve. Në momentin që është shfaqur kjo pandemi kemi vendosur dy transporte punëtorësh, ndërsa për pjesën e fshatit, secili punëtor ka gjetur mënyrat e tij për të ardhur në punë”, thotë Albani.
Sipërmarrjet e veshjeve punësojnë disa qindra gra dhe vajza, Ato përballen me mjaft vështirësi prej situatës së pandemisë së koronavirusit. Por, ky aktivitet është jetik për qytetin e vogël ku të ardhurat janë të pakta për qindra familje pas paralizimit të shumë sektorëve.
“Deri tani me pagesat kemi qenë në rregull,sipas afateve, rrogat kanë kaluar në kohën e caktuar dhe për transportin është bërë pagesa në kohë”, thotë zoti Meksi.
Sipërmarrjet e kanë reduktuar numrin e punëtorëve për të garantuar kushtet e sigurisë dhe respektuar protokollet, thotë më tej zoti Meksi.
“Që në momentet e para që është shfaqur kjo pandemi kemi mbyllur aktivitetin për 24 orë, kemi bërë dezifektimin, kemi respektuar distancat e nevojshme duke lëvizur linjat e prodhimit, kemi reduktuar numrin e punëtorëve, kemi përdorur maskat mbrojtëse, dezinfektantët e duarve, të gjitha procedurat e vendosura”, thotë ai.
Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor në Gjirokastër, Edi Sinoimeri thotë për Zërin e Amerikës se sipërmarrjet e biznesit ndiqen rregullisht për të garantuar sigurinë.
“Jemi fokusuar kryesisht tek ato ndërmarrje, apo fabrika, njësi prodhimi fason , supermarketet, etj. ku ka më shumë grumbullime njerëzish apo aktivitet më të madh”, thotë ai.
Një protokoll i ri sigurie ka hyrë në fuqi prej disa ditësh pas shfaqjes në disa zona në Shqipëri të infektimit me virusin COVID -19 të punëtorëve në fasoneri.
Zoti Sinoimeri vlerëson masat kontrolluese, por edhe ndërgjegjësuese, të cilat kanë ndikuar që Qarku i Gjirokastrës të mos ketë asnjë rast infektimi me koronavirus.
“Ka një ndërgjegjësim, bashkëpunim dhe një mirëkuptim jo vetëm me qytetarët, por ajo që do theksoja edhe me subjektet që veprojnë në këtë qark”, thotë ai.
Mbajtja në punë e aktiviteteve të sisërmarrjeve prodhuese vlerësohet nga analistët e ekonomisë si mjaft e rëndësishme për mosthellimin e papunësisë dhe reduktimin e varfërisë ekstreme./ VOA