Koronavirusi, ministri Çuçi: Masa me ushqime stok për 3 muaj
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi thotë se sektori i bujqësisë nuk është prekur nga situata e krijuar nga Covid-19, edhe pse disa sektorë kanë shfaqur problematika.
“Nuk mund ta parashikojmë, por mendojmë që nuk do të kemi pasoja shumë të mëdha për sa i përket produkteve bujqësore. Kemi problem sektorin e peshkimit, sepse është më sensitiv, dhe do të mendojmë për disa instrumente”, tha Çuçi.
Shqipëria, tha ministri në një intervistë për A2, nuk do të ndjekë shembullin e rajonit dhe nuk do të mbyllë eksportet. “Përkundrazi, duhet të krijojmë korridore të gjelbra për këto produkte”, tha ai.
Ministri siguroi shqiptarët se janë marrë masa për të mbajtur stok produkte ushqimore për 3 muaj. “Kemi nxjerrë akte përkatëse për të detyruar kompanitë e mëdha, magazinat ushqimore, që të kenë një stok të produkteve që importojnë dhe që janë të domosdoshme për tregun, duke i garantuar që nëse nuk do të shiten, për ta marrë riskun përsipër vetë qeveria”.
Kreu i bujqësisë tha se për momentin janë ndaluar subvencionet për fermerët, por do të rikthehen me kalimin e situatës së Covid-19.