Ja data e seancës gjyqësore për Florenc Llanaj
Florenc Llanaj, ish-nëndrejtori i spitalit të Sarandës i arrestuar në Maj 2019 nga policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda, për trafik droge në kuadër të grupit kriminal, dyshon se është prekur nga koronavirusi.
Për gati një vit, Llanaj ndodhet në qelitë e burgut 313, por gjatë kësaj periudhe pandemie, ai ka shfaqur probleme me shëndetin, si temperaturë dhe dhimbje fyti, dhe sipas tij pas gjithë këtyre simptomave dyshon se është prekur nga COVID-19.
Florenc Llanaj, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për Krime të Rënda me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, pasi dyshon se është prekur nga COVID-19.
Kërkesës së tij për të bërë testin e COVID-19, trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme i është përgjigjur pozitivisht. Mësohet se gjykata ka urdhëruar stafin e Spitalit të Burgut dhe Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë, që Florenc Llanajt t’i bëjnë testin e COVID-19.
Seanca gjyqësore për të mësuar nëse virusi COVID-19 ka depërtuar ose jo dhe në ambientet e burgjeve shqiptare, pritet të zhvillohet në 15 prill 2020 në orën 09:00.
Florenc Llanaj, është një nga 14 të arrestuarit e grupit që transportonin drogë nga Shqipëria drejt Greqisë. Goditja e këtij grupi kriminal është kryer nga policia në muajin Maj 2019, ndërsa njeriu që drejtonte grupin ishte një person nga qyteti i Korçës, Kejdi Sadushi, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Greqia në Korçë, pasi në shtetin Helen kishte vuajtur një dënim për trafik droge.