I deleguari i PD për Sarandën i ngecur në Danimarkë: Këtu po shkon drejt hapjes falë komunikimit të ekuilibruar të qeverisë me qytetarët
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli ndodhet në Kopenhagën të Danimarkës ku ka udhëtuar përpara se të mbylleshin kufijtë nga situata e pandemisë.
Në një lidhje një intervistë në ABC News me gazetaren Juli Xhokaxhi, Kadilli tha se edhe në Danimarkë janë marrë masa por se në këtë shtet situata është më e relaksuar, pasi ata kanë zgjedhur masa më pak represive në përballimin e koronavirusit.
Kadilli tha se shteti danez ka një adresim ndryshe të situatës së koronavirusit, po përdoret një strategji më e natyrshme.
“Ka një raport shumë pozitiv të qytetarëve dhe qeverisë. Kryeministrja daneze është më komunikative me popullin dhe po shkojnë drejt hapjes. Numrin e viktimave e kanë të ulët dhe shifra e të prekurve është e ulët gjithashtu”, u shpreh Kadilli.
Juli Xhokaxhi: Në Danimarkë besohet se versioni i parë i koronavirusit ka qenë në shtator?
Fatbardh Kadilli: Po këto janë raportime që vijnë nga studime shkencore kryesisht në Amerikë dhe vende të tjera. Ajo që bën përshtypje është se qeveria ka një raport të ekuilibruar me qytetarin. Ky lloj komunikimi i bën qytetarët më të ndërgjegjshëm.
“Këtu qytetarët qarkullojnë lirisht dhe transporti publik vijon pa pangesa”, u shpreh ai.
Sipas Kadillit bota po shkon në një eksperiment social shumë të rrezikshëm me përmasa globale.
Gjithsesi edhe në Danimarkë është goditur nga situata e pandemisë, sektori i ekonomisë, sidomos punonjësit e pakualifikuar.
“Danimarka i ka shpëtuar panikut dhe presionit mediatik, e ka përballuar situatën me kujdes, por pa panik, ndërkohë që në Shqipëri kjo nuk shihet”, u shpreh Kadilli.