Greqi, kërkohet ndihmë për punëtorët sezonalë nga Shqipëria
Drejtuesit e disa rajoneve greke po i kërkojnë qeverisë rithimin e punëtorëve sezonalë për të përballuar vjeljen e prodhimeve bujqësore dhe frutore.
Disa mijëra punëtorë sezonalë nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit u larguan në masë nga Greqia në fillim të marsit dhe nuk janë në gjendje të kthehen për shkak të bllokimit të kufijve prej pandemisë së koronavirusit.
Në Prefekturat e Imathias dhe Pellas ku kultivohen sasi të mëdha pjeshkësh dhe frutash të tjerë, raportimet e mjeteve kryesore greke të informimit flasin se kërkesat për fuqi punëtore do të jenë të mëdha gjatë muajit maj dhe qershor.
Vlerësimet vendore në të dy prefekturat tregojnë se, si edhe vitet e tjera, do të duhen më shumë se 10 mijë punëtorë këtë vit, shumica dërrmuese e të cilëve janë të huaj. Prefekti i rajonit grek të Maqedonisë Perëndimore Jorgo Kasapidis i kërkoi përmes një letre ndihmë qeverisë greke.
Prefekti vlerëson se “riatdhesimi i punëtorëve nga vendet e Ballkanit dhe pamundësia e atyre që kanë mbetur në Greqi për t’u transferuar në zonat ku ka nevojë për punëtorë sezonalë janë çështje kritike. ”
Mbështetja e menjëhershme për sektorin parësor është jashtëzakonisht e rëndësishme, prodhimi bujqësor dhe blegtoral i këtij viti është më i rëndësishëm se çdo vit tjetër, vlerëson prefekti rajonit.
Sipas tij shumë aktivitete të kultivuesve tashmë kanë filluar me kërkimin e punëtorëve, por pa rezultate nga fermerët e Maqedonisë Perëndimore. Prefekti ka propozuar si zgjidhje për situatën sigurimin e lëvizjes ndërkufitare dhe ndër-rajonale të punëtorëve pas një ekzaminimi mjekësor dhe zgjatje të lejes së qëndrimit nga 6 në 12 muaj, si dhe thjeshtimin e procedurave për dhënien e lejes për punë sezonale.
Të enjten Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri grek Qiriakos Micotaqis zhvilluan një bisedë telefonike të përbashkët ku sipas burimeve zyrtare është trajtuar edhe bashkëpunimi për punësimin sezonal.
Por të dy vendet nuk kanë hedhur ende hapa konkrete për lëvizjen e fuqisë punëtore nga Shqipëria drejt Greqisë. Dhjetëra punëtorë sezonalë shqiptarë që u kthyen fillimin e muajit prill nga pikat kufitare me Greqinë janë karantinuar në hotelet në Korcë dhe në Gjirokastër, për një periudhë 14 ditore.