Finalizohet në ujërat detare të Vlorës, operacioni policor i koduar “KARABURUNI”.
Pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale me palën greke, bllokohet një mjet lundrues, i vjedhur në shtetin grek.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kishin marrë informacion nga pala greke, për një mjet lundrues të vjedhur në shtetin grek, i cili dyshohej se do trafikohej drejt Shqipërisë.
Nisur nga ky informacion është organizuar puna, duke bashkëpunuar me shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, QNOD Durrës dhe Rojën Bregdetare, me qëllim evidentimin e mjetit lundrues në rast se do hynte në ujërat e vendit tonë.
Strukturat e Policisë Kufitare dhe Delta Forcë, nën drejtimin e QNOD Durrës, Rojës Bregdetare Vlorë dhe në bashkëpunim me shërbimet e DVP Vlorë, bënë të mundur, në zonën e Karaburunit, pranë vendit të quajtur “Kepi i Gjuhëzës”, bllokimin e mjetit lundrues, si dhe të dy personave që ndodheshin në bord.
Nga këqyrja e mjetit lundrues tip gomone me 2 motorë (9 m e gjatë), nuk është konstatuar asnjë material apo send i kundërligjshëm.
Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
D. S., 43 vjeç dhe P. K., 25 vjeç, banues në Vlorë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim.