COVID-i ‘mund’ turizmin, shpëtohet vetëm 30%, flet eksperti : 70% e rezervimeve u anuluan
Turizmi është një nga sektorët që do të vuaj më së shumti pasojat negative që po lë dhe mund të vazhdojë të lë përhapja e COVID-19, në vendin tonë. Ekspertët dhe bizneset e fushës flasin për një kthim në pikën zero të sektorit të paktën për pranverën ku anulimet e fluturimeve ishin 100%.
Edhe pse ende nuk kemi një paketë të prezantuar për sektorin e turizmit, ekspertët flasin për një rënie deri në 70% të tij edhe në rast se kufijtë hapen pjesërisht.
Besnik Vathi anëtar i shoqatës së turoperatorëve thotë se të vetmet rezervime që nuk janë anuluar janë vetëm ato që janë bërë me parapagim.
Për momentin anulimet nuk diskutohen që për pranverën mund të quhen të mbyllura komplet 100% të anuluar, për verën deri më tani kanë qenë në nivelin e 70% dhe mbetet një 30% që ndoshta në pritje për të se çdo të bëhet. Bëhet fjalë për rezervime pritje, me idenë që duke qenë se janë bërë parapagime për fluturimet, për hotelet dhe askush nuk dëshiron që ti humb. Në këto kushte do mendohet brenda Evropës se me cilët vende mund të kemi akses, me Greqinë, Italinë, Maqedoninë apo edhe vendet skandinave. Pra do të shikohet se ku konkretisht do të jenë më të mundshme hapjet”, shprehet Vathi.
Vathi shton se edhe në rast se kemi një zhdukje të virusit nuk do të kemi kthim në normalitet të turizmit apo bum turistësh. Ndërkohë destinacionet që synohen nëse do të kemi hapje graduale janë ato të Ballkanit.
“Situata më e mirë një zhdukje komplet e virusit dhe kthim në normalitet, atëherë kuptohet që nuk do të ketë bum po do të jetë rreth 30-40% krahasuar me vitin e kaluar. Pra në këto kushte çdo situatë sado optimiste nuk mund ta kalojë këtë shifër. Të flasësh pastaj për turizmin e brendshëm është utopi ose të flesh optimist me gjëra që janë të pamundura. Asnjë vend në botë që ka turizëm nuk e mbyll turizmin me turizëm të brendshëm”, thotë Vathi.
Ndërsa përfaqësuesja e një prej agjencive turistike në vend Jeta Hoxha thotë se edhe vetë ata janë të papërgatitur pasi ende nuk ka një vendim se çfarë do të ndodh.
“Ne kemi kontaktuar me turoperatorët tanë të huaj, por ne jemi në riskun që pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e dinë se kur do të pushojnë. Një pjesë e konsiderueshme e kanë ezauruar pushimin e tyre, një pjesë nuk e dijë nëse do të vazhdojnë në punë sepse ka pasur shkurtime. Por edhe ne jemi të papërgatitur duke pritur vendimin e ministrisë së turizmit se çfarë do të ndodh. Qeveria nuk ka nxjerr ende asnjë plan për pjesën e turizmit kështu që ne presim këto masa që ti vendosim ne zbatim”, thotë Hoxha.
Nga ana tjetër eksperti Besnik Vathi bazuar në deklaratat e deritanishme thotë se do të rriten kostot ndjeshëm nëse avionët do të fluturojnë me gjysmë kapacitet për t’ju bindur distancimit social.
“Nëse një avion do të fluturojë me 50% të kapacitetit nuk bëhet fjalë për çmim siç ka qenë por bëhet fjalë që çmimi mund të jetë 2 herë më i shtrenjtë seç ka qenë. në qoftë se ne themi se një restorant do të ketë largësi 2m tavolina nga tavolina, atëherë si do të mbijetojë ai me të njëjtat çmime kur ka gjysmën e kapacitetit”, shprehet ai.
Pak ditë më parë qeveria vendosi të lejojë organizimin e kampingjeve apo çadrave për piknik. Ndërkohë janë disa nga agjencitë turistike që kanë filluar të reklamojnë paketat e tyre për sezonin veror dhe që kryesisht janë pas datës 15 qershor.