COVID-19, ish- deputeti Sarandës: Të trajtohet në kompleksitet, në të kundërt përfundojmë në anarki

Koço Kokëdhima, drejtues i partisë Zgjidhja, foli në Dita Jonë për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Ai i bëri thirrje qeverisë që ta trajtojë çështjen në kompleksitet, pasi në të kundërt, vendi mund të shkojë në kaos e anarki.

“Virusi godet pa mëshirë në çdo drejtim. Nëse ne do ta trajtojmë vetëm në aspektin e mbrojtjes së shëndetit do të vuajmë pasoja të rëndë.

Nëse ne nuk e trajtojmë këtë krizë në kompleksitetin e saj mund të shkojmë në kaos dhe në anarki. Qeveria po blen kohë, por ne nuk e dimë se si po e përdor këtë kohë. Këtu kam parasysh aspektin e masave shëndetësore, pasi edhe në këtë drejtim nuk ka transparencë.

Qeveria nuk po merr masa për përballimin e krizës ekonomike. Shëndeti është themelor, por duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë mund të ndodhë me ekonominë. Gjërat nuk do të jenë më kurrë ashtu siç ishin para pandemisë.

Nuk është normale që tashmë të gjitha pushtetet në Shqipëri janë thuajse jo funksionale. Kemi një kryeministër që urdhëron të gjitha zhvillimet. Veçanërisht në këtë situatë, ne kemi nevojë për funksionimin e të gjitha pushteteve dhe të ketë konsultim edhe me grupet e interesit”.

Kokëdhima dha edhe disa sugjerime. “Paga minimale e të gjithë punonjësve që nuk mund të shkojnë në punë, duhet të paguhen nga qeveria, të paktën këto 2-3 muaj, Në këtë mënyrë, financojmë konsumin, punonjësit, praktikisht injektojmë cash në ekonomi. Detyrimet tatimore për kompanitë e prekura duhet të shtyhen për një periudhë tjetër”.