VIDEO/ Koronavirus, Bashkia Gjirokastër dezinfekton rrugët e qytetit

Bashkia Gjirokastër ka vijuar edhe sot me dezinfektimin e rrugëve dhe ambienteve të tjera publike në kuadër të masava për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kryebashkiaku Flamur Golemi ka publikuar në faqen e tij një video nga puna e Agjencisë së Shërbimeve Publike dhe Shërbimit Zjarrfikës.

Golemi përsërit thirrjen për të qëndruar në shtëpi dhe për të ndjekur këshillat e mjekëve.

“Çdo rrugë dhe hapësirë tjetër publike do të dezinfektohet. Kjo është një masë e domosdoshme për të rritur sigurinë dhe mbajtur larg Covid-19.

Faleminderit punonjësve të Agjencisë së Shërbimeve Publike, Shërbimit Zjarrfikës dhe kujtdo tjetër që vijon punën teksa i gjithë vendi është në një karantinë të plotë. Bashkë do ta fitojmë këtë luftë në të cilën secili nga ne është ushtar në vijën e parë të frontit vetëm atëhere kur qëndron brenda në shtëpi.

Kjo është mënyra e vetme që ne kemi për momentin, ashtu si bota mbarë, për të luftuar armikun e pabesë që kanos jetën tonë. Ju lutem qëndroni brenda dhe respektoni kufizimet e vendosura nga qeveria, si dhe ndiqni këshillat e mjekëve. Do ia dalim!”, shprehet kryebashkiaku.

Paralelisht me dezinfektimin Bashkia Gjirokastër vijon shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe ilaçeve për familjen në nevojë, si dhe pensionistët që jetojnë të vetmuar.