Sarandë/ Syri i Kaltër, një nga pasuritë më të vizituara, tani me një plan menaxhimi

Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Qarkun Vlorë, në drejtimin e kryetarit Flamur Mamaj, njëherësh edhe prefekt i këtij Qarku, miratoi në mbledhjen e fundit që u zhvillua Sarandë, Planin e Menaxhimit për Zonën e Mbrojtur të Parkut Natyror “Syri i Kaltër “.

Ky plan u diskutua gjerësisht nga anëtarët e këtij komiteti, ekspertë të mjedisit dhe specialistë nga rajoni i këtij Qarku.

Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë, me cilësinë e kryetarit të Komiteti të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të këtij qarku, vuri në dukje se ”Prezantimi i draftit të planit të menaxhimit të “Syrit të Kaltër” përbën një event të rëndësishëm jo vetëm se realizohet për herë të parë një produkt i tillë me një vizion bashkëkohor dhe një standard të ri të shërbimeve, por edhe se adreson objektiva të qarta të menaxhimit të qëndrueshëm.“

Nexhip Husolakoj, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut Vlorë tha për ATSH-në se “anëtarët e Komitetit me diskutimet, vërejtjet dhe adresimet konkrete, sollën një pasurim të dobishëm të draftit për menaxhimin e Zonës së mbrojtur “Syri i Kaltër”, një nga pasuritë më të vizituara gjeonatyrore të vendit, nga mijëra shtetas vendas e të huaj. Husolakoj, vuri në dukje se në këtë park është planifikuar funksionimi i biletarisë elektronike si në Butrint dhe përmirësime të disa shërbimeve sot me mangësi si nyje hidrosanitare, tualete, pika informacioni, shtigje me sinjalistikë në natyre, etj.

Parku natyror i Syrit të Kaltër përfshihet në territorin administrativ të bashkisë Finiq në qarkun Vlorë. Ky park mori statusin Zonë e Mbrojtur në vitin 2002.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.