Reforma Zgjedhore, Kokëdhima: Deklaratat e Bashës, përpjekje për të manipuluar popullin

Kryetarit i partisë ‘Zgjidhja’ Koço Kokëdhima reagon pas propozimeve të Bashës për Reformën Zgjedhore.

Përmes një reagimi për mediat, Kokëdhima shkruan se PD është një ndër dy palët që ka uzurpuar zgjedhjet dhe nuk ka projekt politik për të demokratizuar ato.

Sipas Kokëdhimës, “PD dhe PS, prej më se dy dekadash, kanë penguar reformimin e sistemit politik, të zgjedhjeve dhe kthimit të lirive politike te populli.”

Kokëdhima shto se “deklaratat e djeshme të Bashës janë përpjekja e radhës për të manipuluar popullin me premtime që do të treten pas marrëveshjes së radhës me Ramën.”

Reagimi i Kokëdhimës: 

Lulzim Basha propozoi dje atë që ai e cilësoi një reformë radikale të sistemit zgjedhor, duke u shprehur se është koha që të ndryshohen rregullat, nga kontrolli i plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet; tolerancën zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës; financimin e partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur; identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik; ndryshimin e sistemit zgjedhor që ai të jetë i thjeshtë, i qartë, përfaqësues dhe që i kërkon llogari qeverisë si dhe ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë duke kërkuar që 40 anëtarët e tij të zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e parlamentit.

Deklaratat e PD-së tregojnë se ajo, si një nga dy palët që ka uzurpuar zgjedhjet, nuk ka një projekt politik për t’i demokratizuar ato dhe vazhdon përpjekjen tinzare që t’u hedhë hi syve shqiptarëve.

PD-ja, bashkë me PS-në, prej më se dy dekadash, kanë penguar reformimin e sistemit politik, të zgjedhjeve dhe kthimit të lirive politike te populli. Pak javë më parë, PD dhe LSI u ulën në Këshillin Politik të reformës zgjedhore për ta përmbyllur bashkë me PS-në, pa ndryshuar asgjë themelore. Ndërsa tani, duan të thonë se nuk qenkan këta përgjegjësit për këtë marrëveshje kulisash që janë duke përmbushur.

‘Zgjidhja’ nuk ka asnjë dyshim se deklaratat e djeshme të Bashës janë përpjekja e radhës për të manipuluar popullin me premtime që do të treten pas marrëveshjes së radhës me Ramën. Nëse do të ishte e sinqertë, PD-ja nuk do të ulej me PS-në për reformën zgjedhore që nuk reformon asgjë, por, do t’i bashkohej dëshirës së popullit për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, e cila do të mbyllte përgjithmonë kapitullin tragjik të mungesës së votës së lirë dhe të barabartë për shqiptarët. Ky mision është i pamundur të bëhet prej partive që ende nuk kanë kërkuar falje për krimet e panumërta zgjedhore që kanë kryer prej vitit 1994 e deri më sot.