Rama ndan videon sensibilizuese: E vërtetë, jemi të çuditshëm ne shqiptarët

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot një tjetër video sensibilizuese, në këto kohë të vështira të përballjes me koronavirusin ku detyra e vetme për çdo qytetar është qëndrimi në shtëpi.

“Mirëmëngjes, e vërtetë, jemi të çuditshëm ne shqiptarët”, tha Rama ndërsa ndan këtë video.

“Sot jemi një për njëri-tjetrin, për Shqipërinë”, është mesazhi i kësaj videoje.

“Jemi njerëz të çuditshëm ne shqiptarët. Kemi një vend të vogël përrallor, por e duam vetëm kur na e shajnë të tjerët dhe e shajmë më shumë se asnjë tjetër. Themi nuk jetohet kështu dhe ikim po kur ikim e kemi mendjen vetëm këtu. Në punë pimë kafe dhe në kafe flasim për punën. Në shtëpi mblidhemi vetëm për të dalë përsëri.

Po tani?

Tani që shtëpia është plot mbetëm me kokë në dritare. Tani që vendi është bosh, në gjithë këtë qetësi pa smog, na zien gjaku për t’ia kalëruar në këmbë rrugët, plazhet, malet. Na mungon puna dhe po na plas shpirti për pak kafe me muhabet. Këtij virusit me emër prej birre më shumë se frikën i kemi inatin e madh se na ndau me Shqipërinë dhe me shoqërinë. Tani nuk duam të ikim nga Shqipëria duam vetëm të rikthehemi në rrugët e saj.

Njerëz të çuditshëm ne shqiptarët gjithmonë kemi atë që s’duam dhe duam gjithnjë atë që s’kemi. Dhe megjithëse e kemi kaq të bukur Shqipërinë u desh një virus që të biem në dashuri me këtë dreq vendi”, është mesazhi që jepet përmes kësaj videoje.