Rama me maskë në mbledhjen e qeverisë: Koronavirusi s’pyet nëse je malësor ose lab, të godet!
Kryeministri Edi Rama apeloi sot për mediat teksa shtoi se vendi ndodhet në një luftë të padukshme.
Ai u shpreh se duhet një ndëgjegjësim nga kushdo që ka një mikrofon në dorë, për të mos abuzuar me lajmet që ngjallin panik apo janë të paprovuara.
Në mbledhjen urgjente të qeverisë, ai tha se koronavirusi nuk pyet se kush je, nga vjen dhe ku jeton.
“Virusi mund të hyjë në trupat tanë në ccdo moment. Numri I të prekurve në vend është rritur. Të gjitha rastet janë të importuara nga Italia. Ishte e pashmangshme duke pasur parasysh marrëdhëniet e shumta që kemi me vendin fqinj” – tha Rama ndër të tjera.
Ai shtoi se forca e koronavirusit është në rënie. Ndërkohë, Rama apeloi edhe për të rinjtë:
“Shkollat nuk u mbyllën që të shkoni në disko dhe në kafe” – u shpreh ai ndër të tjera.
Ndërkohë kryeministri pati edhe një thirrje për skenën politike. Duke komentuar task-forcën e presidentit Meta dhe inspektimet e opozitës në terren ai u shpreh:
“Shqipëria ka ekspertë shumë të mirë, por s’e ka luksin të ketë aq shumë ekspertë saqë të ketë edhe task forcë presidenciale, edhe opozitare, edhe task-forcë dixhitale etj” – tha Edi Rama sot.
Kryeministri Edi Rama dha detaje rreth maskave që Lulzim Basha i denoncoi si të skaduara.
Sipas tij, ato kanë ardhur si dhuratë nga Kanadaja dhe më konkretisht nga fondacioni “Bijtë e Shqipes”, shkruan JavaNews.
Kreu i qeverisë shtoi se: “Nëse do të kishim të bënim me mjete të rrezikshme, nuk janë budallenj Kanadaja dhe SHBA-ja që t’i lejonin të kalonin kufirin”.
Sipas Ramës, ato janë konstatuar që në kufi dhe janë verifikuar nga autoritetet doganore prej kohësh.
“U bëj thirrje të gjithëve dhe kërkoj mirëkuptim për këtë. Dhe unë mund ti lidh shumë mirë fjalët me rregullat.
Duhet të zbatoni rregullat. Nëse dikush vendos të vrasë veten, shteti është i detyruar ta ndalojë të bëjd diçka të tillë.
Jemi në situatën që shumëkush po luan me të tjerët, me nënën dhe bababin, me motrën dhe vëllain duke i bërë karshillëk një armiku që s’ka as veshë as zemër dhe as sy.
Do mbyllim të gjtha, pube, disko, palestra dhe mjedise që mbledhin shumë njerëz”, tha ndër të tjera Rama.