Nga Tirana në Vlorë, vihen në hetim e gjobiten 8 administratorë, abuzime me çmimet dhe fatura fiktive
Gjatë 48 orëve të fundit, janë vënë në hetim 8 administratorë subjektesh për abuzime me çmimet e produkteve që tregtojnë në pikat e shumicës dhe të pakicës të tregut të fruta-perimeve, ushqimeve dhe produkteve farmaceutike.
Në Tiranë, u vunë në hetim në gjendje të lirë 5 administratorë, ndërsa 1 administrator u ndëshkua me masë administrative 50000 lekë, pasi ushtronin aktivitetin e shitjes së produkteve ushqimore, pa e regjistruar pranë organeve tatimore dhe dyshohet se kanë përpiluar fatura tatimore të shitjeve fiktive të çmimit të produkteve që tregtojnë pikat e pakicës, duke abuzuar dhe përfituar me çmimet e tyre.
Ndërkohë, në Durrës janë ndëshkuar me masë administrative me nga 50000 lekë, 2 pronarë dyqanesh me artikuj të ndryshëm ushqimor pasi tregtonin mall pa faturë, si dhe pronari i një farmacie pasi u konstatua se nuk kishte afishuar listën e çmimeve.
Në Vlorë, u procedua penalisht administatori i një supermarketi në lagjen “Ujë i Ftohtë”, pasi në supermarketin në pronësi të tij, janë gjetur disa produkte ushqimore të skaduara, si dhe u ndëshkuan me masë administrative me 80000 dhe 50000 lekë 2 administratorë me aktivitet tregtim i artikujve ushqimor dhe industrial, si dhe fruta-perime, të cilët u gjetën të parregullt në ushtrimin e aktivitetit.
Në Elbasan, u proceduan penalisht 2 administratorë, pasi nga kontrollet rezultoi se ushtronin aktivitetin e shitjes së produkteve ushqimore dhe farmaceutike pa faturë tatimore dhe pa u regjistruar pranë organeve tatimore.
“Kontrollet do vijojnë në të gjithë vendin pa ndërprerë dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhtal çdo rast abuzimi me çmimet apo me afatet e skadencës së produkteve që ata blejnë”, thuhet në një njoftim zyrtar të policisë.