Mësuesi dhe gazetari Shuaip Mehmeti shpallet “Qytetar Nderi” i Delvinës
7 Mars 2020. Kolegë dhe qytetarë janë mbledhur në qytetin e Delvinës për të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes “ Qytetar Nderi” i Delvinës, mësuesit dhe gazetarit Shuap Mehmeti, tanimë i larguar nga jeta papritur e para kohe.
Është një mirënjohje që qyteti, kolegët mësuesa e gazetarë dhe vet qytetarët i japin kontributit të këtij Njeriu që nuk kurseu asgjë për arsimimin, edukimin e brezave të rinj si arsimtar dhe veprimtar shoqëror, por edhe në promovimin e vlerave historiko-kultorore, folkloriko –etnografike trashëgimore si gazetar i palodhur në shumë media.
Kush e njohu nga afër ndjehej shpirtlotuar dhe shpirtgëzuar për këtë vlerësim që i bëjej të palodhurit Shuaip që nuk kurseu asgjë në shërbim të Frymës së tij sunduese ndaj imazhit qytetar dhe promovimit të çdo detaji me vlera sado i imët të qe, përsëri për të quahej vlerë dhe duhej promovuar, stimuluar dhe nxitur për tu forcuar e trashëguar.
Fillimisht jepej një isert i përgatitur nga Bashkia e Delvinës mbi jetën dhe aktivitetin e Shuaipit. Skenat filmike zgjuan kujtimet dhe nuk të besohej që ai nuk jeton më.
Të dukej i gjallë dhe midis nesh sikur bisedoje me të me atë urtësinë e fjalës së mënçur shoqëruar me buzëqeshjen e ëmbël që nuk i ikte kurrë nga buza dhe lëngëzimin dashamirës të syve, të harmonizuar bukur në bindjen tek bashkëbiseduesi se qe ashtu dhe duhej bërë. Rrallë, për mos të thënë fare, kundërshtohej fjala dhe mendimi i Shuaipit. E nisi karierën e mësuesit nga mësues i thjeshtë e deri shef arsimi. Por nuk do të mjaftohej me kaq. Përveç angazhimit shoqëror dhe në aktivitetet e shumta kulturore, duke ndjerë paplotësi në shërbim dhe përkushtim ndaj qytetarve, ju përkushtua dhe gazetarisë. Dhe si gazetar shkëlqeu duke u bërë nga penat e fuqishme.
E filloi me revistën “Pionieri”, vijoi me gazetat qëndrore “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Mësuesi”, “Studime Petagogjike”, “Ylli”, “Shqiptarja e Re” etj, pa munguar në asnjë numër tek ajo lokale “Fitorja “ Sarandës dhe “Papraroja” e Gjirokastrës. Zëri i tij do të shpërndante anë e kënd arritjet në fusha të ndryshme të jetës; bujqësi, arsim, kulturë, industri nga mikrofoni magjik i asaj kohe “Radio Gjirokastra” e më vonë në kohën e demokracisë trasmentonte problmatikat e kohës së tranzicionit nga mikrofoni i “Radio Saranda”.
Përsëri i dukej se diçka i mungonte qytetit të tij, Delvinës në tregun mediatik, ndaj merr inisiativën dhe me fonde të tij themelon dhe boton gazetën periodike lokale”Delvina”. Ceremonia ecën me emocione për të arritur në kryemocionin, dhënin e “Qytetar Nderi” nga kryebashkiakja Majlinda Qilimi dhe kryetari i këshillit bashkiak Izet Silaj. Përqafim i ngrohtë i titullarve të bashkisë me të bijën që mori çertifikatën dhe një recitim i mbesës kushtuar gjyshit të saj, solli lotë tek bashkëshortja , vajzat dhe të pranishmit.
Vdekja përcjell emocione të tilla, pavarsisht se gjurmët që ke lënë në jetë janë me vlera dhe zgjojnë krenari tek pasardhësit, miqt dhe kolegët. Nga një trëndafil i kuq shpërndarë nga e bija në shenjë mirënjohje dhe kujtimit të të atit, mes përcjelljes së kujtimeve të bashkëhosve nëpërmjet mikrofonit, u mbyll kjo ceremoni për t’ju drejtuar kokteit të shtruar për nder të kujtimit të Shuaip Mehmetit.
Trokitje gotash dhe urime, përqafime dhe fotografi, rrëfime me copëza kujtimesh shtuan bukurinë dhe mbreat e kësaj ceremonie.
Një 7 Mars që gëzoi dhe përloti po dhe i bëri krenar të gjithë. Një ceremoni që dha një mesazh: Qytetit dhe qytetarve po i shërbeve me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri, ai ta jep vet mirënjohjen dhe respektin, ashtu si dhe Shuaip Mehmetit.
Nga Gezetari:
Agron MEMA