Lirimi i vëllezërve Aliko nga Lazarati, flet publikisht Henri Çili: Asnjë akuzë nuk qëndron, do kërkoj pafajësinë!

Çili u shpreh se akuzat që i janë bërë nuk kanë lidhje me veprimtarinë e tij në Universitetin Europian të Tiranës, por me studion ligjore ku ai ka 75 përqind të aksioneve.

Ndërsa sa i përket akuzave në drejtim të tij, ai i hodhi poshtë duke thënë se do të apelojë masën e marrë nga gjykata dhe do të kërkojë pafajësinë.

Pjesë nga fjala e Henri Çilit:

Duke ju falënderuar për prezencën, fillimisht do të doja të shpjegoja përse jam këtu; në çfarë pozitash është ndërtuar interesi im i ligjshëm në çështjen për të cilën unë jam dyshuar se kam shkelur ligjin, jam ndaluar, arrestuar dhe kam fituar masën për detyrim paraqitje. Ditën e enjte në datën 27 shkurt unë dhe dy të punësuarit e mi, avokatët Betim Shkupi dhe Ilir Korbi, jemi ndaluar përmes shkeljes të rëndë proceduralë të cilat avokatët e mi i kanë paraqitur profesionalisht pranë organeve përkatëse, kur nuk kisha pasur në jetën time asnjë precedent penal; nuk kisha asnjë rrezikshmëri për t’u larguar nga Shqipëria dhe nuk kisha asnjë mundësi për të prishur provat. Sidoqoftë, vendimi i Gjykatës së Përmetit i së dielës e hodhi poshtë masën e arrestit dhe vendosi detyrim paraqitje.

Së pari: Unë jam i përfshirë në çështjen për të cilën dyshohem se kam shkelur ligjin, aspak në funksionet e mia si botues, si pronar i UET por si ortak mazhoritar i një firme legale me një entitet juridik me vete, i regjistruar në QKR ku unë kam 75% të aksioneve, në datë 08/05/2019. Duke pasur një interes të ligjshëm, pra si ortak, pas opinioneve ligjore të avokatëve të mi, kam takuar, para- negociuar negociuar, ndërmjetësuar me persona në funksion të kontratatave për shërbime juridike dhe konsulencash të tjera, që ofron çdo studio legale sipas ligjit. Nga ana tjetër, veprimi im në kuadrin e kësaj studio, kishte ende një karakter përgatitor, ishte ende në fazë përgatitje për të ndërtuar një sistem tarifash, komisionesh për marrëveshjet dhe shërbimet në funksion të sigurimit të kontratave të shërbimeve juridike dhe të konsulencës. Specifika ime në lidhje me këtë sipërmarrje, ishte marrja përsipër edhe fushatave të komunikimit mediatik, tek organizatat e të drejtave të njeriut për shkak të specifikës që kam nga profesioni si ish gazetar.

Së dyti: Personalisht, unë mendoj që në realizimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, në procese të ndryshme gjyqësore në shkallët e ndryshme të gjyqësorit deri në Gjykatën e Strasburgut, komunikimi, publikimi dhe ndriçimi i të gjitha rrethanave të çështjeve, është jo vetëm ushtrim i lirisë e shprehjes, por media luan një rol shumë të rëndësishmen në gjetjen dhe vënien në vend të drejtësisë duke siguruar njëkohësisht dënimin e autorëve por dhe mos shkeljen e të drejtave të tyre. E gjitha në funksion të një misioni më madhor: dhënia e drejtësisë.

Së treti: Duke respektuar vendimin e gjykatës së Përmetit për ruajtjen e sekretit për përmbajtjen e seancës për vlerësimin e masës së arrestit unë nuk do t’i referohem asnjë elementi të seancës për të respektuar ligjin dhe zbatimin e atij vendimi të gjykatës. Por, jam këtu për t’ju përgjigjur të gjitha akuzave të bëra publike nga prokuroria apo vendimi i gjykatës që ka vlerësuar masën e arrestit apo informacionet që kanë rrjedhur në media nga organi akuzës. Fillimisht po i referohem pozitës time në lidhje me dyshimet për këto akuza.