Leli thirrje bashkëqytetarëve: Qëndroni në shtëpi dhe respektoni rregullat e higjienës
Është tepër e vështirë të kontaktosh këto ditë me kryebashkiakun vlonjat, Dritan Leli. Celularin e ka përherë të zënë, ndërkohë që vendndodhja e tij është kudo.
Ditët e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Vlorën e kanë rritur intensitetin e punës së tij. I duhet të koordinojë, të drejtojë, të orientojë, të japë këshilla, t’u bëjë thirrje bashkëqytetarëve për të respektuar kushtet dhe rregullat e aplikuara.
Ai shfaqet këto ditë në dimensionet njerëzore e profesionale; është kryetar bashkie, është familjar, është edhe mjek me një karrierë të pasur. Dhe, në këtë dimension është edhe më bindës teksa u drejtohet bashkëqytetarëve për të qëndruar në banesa, apo për të qenë rigorozë në respektimin e në masave që po aplikohen në Vlorë, për ta garantuar standarde të larta sigurie e higjiene.
Vlora, renditet mes bashkive të para që nisën procesin e dezinfektimit të territorit. Prej më shumë se një javë, punonjës të trajnuar për këtë proces, nisën punën të mbështetur me mjetet dhe logjistikën e nevojshme. Për Dritan Lelin, kjo është domosdoshmëri, për të parandaluar, për të minimizuar rrezikun, për të ofruar siguri.
“Është një proces, që po kryhet me mjaft intensitet nga punonjës të trajnuar dhe të pajisur me veshjet e nevojshme, me mjetet e duhura dhe me gjithçka duhet për këtë punë të vështirë vetëmohuese”, thotë Leli për ATSH-në. Prej më shumë se një jave Vlora është kthyer në një hapësirë ku pastrohet dhe dezinfektohet çdo ditë, ku punonjësit me uniforma speciale dhe pajisjet e tjera, i sheh në çdo pikë të territorit. Është hartuar dhe po aplikohet një plan veprimi, që nuk përjashton asnjë metër katror dhe që parashikon grafikun e ndërhyrjes në detaje.
“Nga qendra në periferi dhe anasjelltas, në shtrirje graduale, në kohë dhe hapësirë, ky është parimi i kësaj ndërhyrjeje masive që është shtrirë në të gjithë qytetin”, nënvizon Leli. Ai është i bindur si mjek dhe si drejtues, se, kështu, me veprime konkrete, me një aksion të tillë masiv, situata mbahet nën kontroll dhe garanton impakt pozitiv.
Kryebashkiaku vlonjat është mjaft optimist për përballimin dhe kapërcimin e kësaj situate. Në bashkëveprim të vazhdueshëm me strukturat qendrore dhe ato vendore të shtetit, Policinë, Spitalin Rajonal, ndjek në vijimësi zbatimin e vendimeve të Qeverisë për disiplinimin e qarkullimit, për kushtet e funksionimit të mjediseve të tregtimit të produkteve ushqimore, frutaperimeve dhe sendeve të tjera të përdorimit të përditshëm.
“Synimi ynë është që, së pari të ndërgjegjësohen qytetarët për domosdoshmërinë e zbatimit të rregullave të vendosura në këto ditë të jashtëzakonshme nga Qeveria dhe Kryeministri, Rama për tregjet e hapura, për merkatot dhe supermarketet, për funksionimin e institucioneve dhe subjekteve që ofrojnë shërbim për qytetarët”, thotë Leli.
Ai u ka bërë thirrje të herëpashershme bashkëqytetarëve për të qëndruar në banesa, për të kufizuar lëvizjet, duke ripërsëritur si mjek, rrezikshmërinë e COVID-19, pasojat që mund të shkaktojë ai në rast infektimi. “Është mënyra më e mirë për të parandaluar një situatë të papëlqyeshme, prandaj qëndroni në shtëpi”, u drejtohet kryetari i Bashkisë Vlorë bashkëqytetarëve, përmes ATSH-së.
Ai sjell në vëmendje se ka ende qytetarë që nuk respektojnë rregullat e higjienës në mjedise publike, duke pështyrë në tokë apo në sipërfaqe të tjera të rrafshta, ndërkohë që kujton se këto veprime shndërrohen në burim rreziku për përhapjen e infeksionit. “COVID-19 mbijeton për një kohë të gjatë në këto sipërfaqe, duke krijuar kështu një rrezik potencial përhapjeje e rreziku”, thotë Leli.
Prej ditës së sotme, ndryshoi tërësisht grafiku i këtyre lëvizjeve, orari i kufizimeve dhe impakti ishte i dukshëm në qytet, krahasuar me një ditë më parë, kur “Lungomare”, ishte mjaft e populluar prej qytetarëve që shëtisnin duke shfrytëzuar ditën me diell.
Dhe, në këtë tablo, Leli vlerëson se është edhe ndërgjegjësimi qytetar, krahas punës së përkushtuar nga ana e policisë dhe strukturave të tjera. Kryebashkiaku vlonjat falenderon punonjësit e Policisë së Shtetit për angazhimin maksimal, falenderon personelin e mjekëve dhe infermierëve, që janë në gatishmëri, punonjësit e të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve që ofrojnë shërbim, Ujësjellësit, Pastrimit, Postës Shqiptare, administratën lokale që shfrytëzon çdo hapësirë për të kryer detyrat dhe për t’ju gjendur pranë njerëzve në nevojë.
“Po vlerësojmë nevojat e familjeve që preken nga masat që po aplikohen në këto ditë të jashtëzakonshme, ndërkohë që kemi nisur programin e asistencës për një kategori të caktuar, ku prioritare janë të moshuarit dhe pensionistët e vetmuar”, shprehet Leli për ATSH.
Ai thotë se, ky program ka nisur një ditë më parë dhe në zbatimin e tij janë përfshirë pjesëtarë të administratës bashkiake në njësitë administrative në zonat rurale dhe ato brenda qytetit.
“Të gjithë të moshuarit, të gjithë pensionistët e vetmuar, do të kenë asistencën e punonjësve të bashkisë, për të blerë ilaçet, ushqimet e nevojshme, apo çdo nevojë tjetër që nuk mund t’ua sigurojnë familjarët e tyre”,thekson sqaron kreu i Bashkisë Vlorë.
Ai sqaron se, për këtë qëllim po shfrytëzohen të gjitha mënyrat e komunikimit .