Koço Kokëdhima bën ekspertin ekonomik: Qeveria të mos vonojë me stimujt financiarë

Ish deputeti i Sarandës, Koço Kokëdhima, ka kërkuar nga qeveria që të mos vonojë stimujt financiarë.

Sipas tij, injorimi i mbështetjes financiare dhe me stimuj fiskalë, do të jetë fatale për ekonominë.

“Shumica dërrmuese e aktivitetit ekonomik ka ndaluar për shkak të izolimit. Por kjo është një goditje e rëndë për ekonominë, e dyta, pas dëmeve të shumta të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Nëse situata vazhdon e tillë për të paktën një muaj, humbjet do të llogariteshin në gati 700 milionë euro, ose rreth 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nëse vazhdon më gjatë, në një ekonomi pak produktive, të varur nga vetëpunësimi dhe që bazohet mbi aktivitetin e thjeshtë tregtar dhe të shërbimeve, pasojat do të ishin të pallogaritshme.
Kjo situatë nuk është vetëm në Shqipëri.

Por bota po përgjigjet me stimuj të fuqishëm financiarë, apo lehtësi fiskale. Gjermania do të japë 500 miliardë euro ndihma për bizneset, SHBA-të lëvruan 50 miliardë dollarë, Britania e Madhe do të lëvrojë 30 miliardë paund, Danimarka 30 miliardë euro etj. Ndërsa Italia fqinje do të japë 500 euro për çdo të vetëpunësuar që mbyll aktivitetin.

Qeveri të tjera kanë shtyrë për shumë muaj pagesat dhe kreditë.
Bizneset në Shqipëri kanë bërë publike kërkesat për lehtësi fiskale, apo rimbursim të dëmeve. Injorimi i mbështetjes financiare dhe me stimuj fiskalë, do të jetë fatale për ekonominë”, shkruan Kokëdhima. /Sarandanews/