“Duhet të heqim zakonet e shpifura si hedhja e pështymës në rrugë”, thirrja e kryebashkiakut të Vlorës: Nga e hëna të forcohen masat kundër COVID-19

I ashpër ka qenë në reagimin e tij kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili bëri thirrje që nga e hëna të forcohen akoma më shumë masat kundër COVID-19, në mënyrë të tillë që të frenohet dalja e qytetarëve në rrugë.

Në një intervistë për gazetarin e ‘News24’ Enrik Mehmeti, kryebashkiaku paralajmëroi qytetarët se kjo është një luftë kundër një pandemie që po merr jetë njerëzish dhe nuk është shaka. Po ashtu ai theksoi se shqiptarët duhet të heqin disa vese të shëmtuara, siç është pështyrja në rrugë apo shfryrja e hundëve.

“Është organizuar një armatë e tërë njerëzish për t’i ofruar ndihmë në shtëpi pensionistëve të vetmuar. Do u garantojmë blerjen e ilaçeve, produkteve ushqimore. Kemi një armatë njerëzit për dezinfektim, për të pastruar.

Duhet të largojmë zakonin e shëmtuar, që njerëzit shfryjnë hundët dhe përshtyjnë në rrugë. Janë zakone të shpifura.

Njerëzit duhet të kujdesen për familjen tyre, për hapësirat e përbashkët. Jam për masa më drastike duke nisur nga java tjetër. Për mua është e rëndësishme që njerëzit mos të dalin nga banesat e tyre. Është e rëndësishme mos të dalim nga shtëpitë tona.

Njerëzit janë potencialisht përhapës të virusit. Për mua duke nisur nga e hëna të forcohen masat. Nëse njerëzit nuk janë bindur akoma dhe se kuptojnë se çfarë po ndodh. Ata janë duke vrarë të tjerët. Nuk duhet të dalin nga shtëpia.”, tha Leli.