Shtrenjtohet jetesa, rriten çmimet e ushqimeve dhe transporti
Transporti, ushqimet dhe pijet alkoolike kanë pësuar rritjen më të ndjeshme të çmimeve gjatë muajit janar. Edhe pse inflacioni është nën objektin e vendosur nga Banka e Shqipërisë, çmimet e produkteve bazë dhanë kontributin më të madh në rritjen e tij.
Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Janar 2020 është 1,6 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,3 % vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,9 %,.
Shifrat janë bërë të ditura në raportin e publikuar sot nga INSTAT sipas të cilit mësohet se “Argëtim dhe kulturë” me 1,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,5 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4 %, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2 % secili.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,4 % dhe çmimet e grupit “Komunikimi” u ulën 0,3 %. Në muajin Janar 2020, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 2,5 %.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,1 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 2,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,6 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 0,2 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,1 %.