Reagon dhe Koço Kokëdhima: Edi Rama do të helmojë shqiptarët, të mos lejojmë plehrat e Europës

Ish- deputeti i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, ka reaguar pas bllokimit të një ngarkesë amianti që vinte nga Brindizi i Italisë për t’u groposur në Vlorë.

Kokëdhima shkruan se Edi Rama ka interes vetëm të bëjë biznes, pa pyetur për helmimin e shqiptarëve.

Ai bën thirrje që të mos lejojmë plehrat e rrezikshme të Europës të futen në vendin tonë.

“Prej vitit 2004 kam qenë kundërshtar i paepur për të mos e shndërruar Shqipërinë në koshin e plehrave të Italisë apo të vendeve të tjera të Europës. Bashkë me shoqërinë civile dhe ambientalistët luftuam për të mos e bërë vendin tokë të “Ecomafias’ që prej vitesh kërkon të groposë apo të djegë në Shqipëri mbetjet e rrezikshme.

Rasti i një dite më parë kur u bllokua një ngarkesë amianti që vinte nga Brindizi i Italisë për t’u groposur në Vlorë, ilustron shqetësimin tim të hershëm. Uroj që ngarkesa të tjera të mos kenë kaluar, por nuk e besoj. Nuk kam besim te kjo qeveri që e nisi mandatin në shtator 2013 me VKM-në e parë që anulonte importin e mbetjeve dhe pas dy vitesh iu fut biznesit të plehrave dhe inceneratorëve.

Rama e mbron importimin dhe djegien e plehrave duke e cilësuar “një proces europianizues”. Ai e hodhi në kosh planin e menaxhimit të mbetjeve 2010-2025, të draftuar dhe miratuar nga qeveria shqiptare me ndihmën e Bashkimit Europian, për të ndërtuar 12 landfille inxhinierike për grumbullimin e mbetjeve bashkiake, sipas standardeve të BE-së. Në vend të tyre nisi ndërtimin urgjent të 3 inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Ai nuk bën asnjë pagesë, as për familjet e skamura, invalidët, të papunët, apo naftëtarët e punonjësit që kanë 27 muaj pa marrë pagat, por për inceneratorët ka dhënë dhjetra milionë euro, madje paradhënie. Ai do vetëm të bëjë biznes, pa pyetur për helmimin e shqiptarëve, tokës, ajrit dhe ujrave të Shqipërisë.

Nuk duhet lejuar. Sërish bashkë, me shoqërinë civile dhe ambientalistët për të mos e shndërruar vendin në kosh plehrash të ‘Ecomafias’”, shprehet Kokëdhima. /Sarandanews/