Prona në Lazarat në këmbim të lirisë së Alikojve! Arrestohet botuesi Henri Çili dhe 12 të tjerë
Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës Henri Çili është arrestuar në orët e para të mëngjesit nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë mes tyre biznesmeni Sait Fishta, drejtori Juridik i UET Ilir Korbi dhe noterja Shpresa Gjocaj.
Burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit. Nga përgjimet ka rezultuar se Çili ka pasur komunikime me babanë e Alban dhe Arbjon Alikos të arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në qershorin e 2015-ës, Ibrahim Bashës. Babai i tij Alikos i kishte premtuar Çilit një hapësirë toke në Gjirokaster në këmbim të lirimit apo uljes së dënimit të dy djemve. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se emri i Çilit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare.
Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disa mujor. Çili është shoqëruar në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme ndërkohë që urdhër arresti i është komumikuar në orë e para të mëngjesit të sotëm. Ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve, shpërdorim detyre dhe transaksione të dyshimta që do jenë pjesë e një hetimi pasuror.
Gjatë operacionit policia ka arrestuar edhe Amarildo Alikon, i afërm i ish-kryekomunarit të Lazaratit në kohën e PD, Dasho Aliko. në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan armë dhe municione. Të arrestuarit janë dërguar tek Policia e Tiranës, ku priten veprime të mëtejshme.
Nga ky operacion i cili është finalizuar në orët e para të mëngjesit mësohet se janë shoqëruar më shumë se 60 persona të tjerë. Kontrolle janë ushtruar në disa banesa në qytetin e Gjirokastrës si dhe në ambientet e UET.
Pritet që kjo dosje të kalojë në SPAK.