Masat kundër Covid-19, dy mjekë nisin kontrollet edhe në doganën e Kakavijës
Pas konstatimit të një dite më parë se në pikën kufitare të Kakavijës nuk kishte kontroll mjekësor, paraditen e kësaj të marte u shfaqën dy mjekë.
Të pajisur me termometër, ata kanë filluar kontrollet e personave që futen në Shqipëri nga Greqia në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë.
Madje, Kakavija u vizitua edhe nga vetë prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Alija, si dhe nga drejtuesit lokalë të shëndetit publik.
Ata konfirmuan se tashmë, kontrolli mjekësor do të jetë 24 orësh, ashtu siç është vendosur në të gjitha pikat kufitare në vend, qofshin ato tokësore dhe detare.