Ilir Meta: Gjysmëparlamenti i deledeputetëve dhunon popullin shqiptar. Protestë më 2 mars
Presidenti Ilir Meta mbajti një konferencë për shtyp ditën e mërkurë për të sjellë prova të reja për atë që e quan “grusht shteti”.
Gjatë konferencës, Meta e cilësoi Parlamentin “gjysmëparlament” dhe deputetët e tij, “deledeputetë”.
“Gjysmëparlamenti i deledeputetëve vetëm gënjen e mashtron dhe kërkon të implikojë institucionet që nuk kanë dhënë opinion lidhur me betimin në formë të shkruar për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”.
“Komisioni i Helsinkit thotë se ceremonia e betimit nuk bëhet me shkrim. Kërkohet prezenca fizike e personit që betohet përpara Presidentit”, deklaroi Meta.
Ilir Meta gjithashtu paralajmëroi një protestë më 2 mars pasdite: “Nga data 2 mars do të firmoset dekreti i parë, para popullit shqiptar. Në bulevard do të lidhim besën. Më 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ju japim fjalën se shumë shpejt nuk do të ketë vetëm një institucion në mbrojtje të republikës, por të gjithë këta institucione që janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do t’i kthehen popullit shqiptar. Ata që kërkojnë popullin e presidentit në WhatsApp, të porosisin poture të gjera”.