Dosja me 28 të arrestuar ndahet mes Përmetit dhe Gjirokastrës

Dosja me 28 të arrestuar nga Prokuroria e Përmetit, ku mes të ndaluarve është dhe botuesi dhe analisti Henri Çili, është ndarë në dy pjesë. Kjo pasi disa persona si Alfred Aliko, babai i Armando Alikos, që janë arrestuar në Lazarat për akuzën e Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve, i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Gjirokastrës.

Kjo prokurori do të zhvillojë këtë javë dhe masat e sigurisë për Alfred Alikon e disa të tjerë, ndërsa në prokurorinë e Përmetit, pritet të dalin për t’u njohur me masën e sigurisë Henri Çili dhe 25 persona të tjerë, që janë arrestuar për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, ”Mashtrim”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave publike”, “Falsifikimi i dokumenteve”.

Mes përgjimeve të kryera del dhe Gazmir Ajdini, kunati i botuesit Henri Çili, i cili i premton familjes Aliko se Çili, kishte filluar punën dhe kishte takuar një zyrtar të lartë të drejtësisë shqiptare.

Ndaj që duhet patjetër, të qëndrojnë korrekt me pjesën e pagesave dhe detyrimeve për dorëzimin e pronave, dy apartamente në Velipojë dhe një sasi të konsiderueshme financiare.

Qëllimi ishte që Henri Çili të ndërhynte në Gjykatën e Lartë, për të përshpejtuar dosjen penale të vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, ku sigurisht ishte premtuar për rrëzimin e burgimit të përjetshëm.

Dy vëllezërit Aliko, janë dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA Ibrahim Basha.