Bypass-i i Tepelenës, investim që i jep hov të ri zhvillimit ekonomik dhe turistik të gjithë qarkut

Bypass-i i Tepelenës, një tjetër vepër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare, pjesë e aksit Veri-Jug, është tashmë i hapur për qarkullimin e mjeteve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga bypass-i i Tepelenës, investim i qeverisë, në vazhdën e projekteve të zhvillimit të infrastrukturës së vendit.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj rrugë të mbarë në Bypass-in e Tepelenës”, tha Rama.

Investimi, i cili i jep një hov të ri zhvillimit ekonomik, por dhe turistik të gjithë Qarkut, bën lidhjen e dy segmenteve rrugore, segmentin e sapondërtuar Levan-Tepelenë me segmentin Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë.

Me ndërtimin e këtij bypassi bëhet e mundur gjithashtu transformimi i Tepelenës, nga një kthesë e braktisur, në një zonë turistike.

Projekti parashikon mbrojtje lumore poshtë kalasë, mbjellje me pemë në skarpatet përgjatë rrugës, përmirësim i aksit mbi aksin ekzistues, përmirësim i nyjes në hyrje të qytetit të Tepelenës dhe lehtësim në qarkullim.

Gjithashtu, është realizuar rrethrrotullimi në sheshin “Ali Pasha”, zgjerimi i rrugës dhe realizim i trotuareve për këmbësorët që duan të vizitojnë kalanë, si dhe pastrimi dhe rehabilitimi i mureve të kalasë, ndriçimi i rrugës, mbrojtje e skarpateve dhe gjelbërim i gjithë zonës.

MIRËMËNGJES ????dhe ju uroj rrugë të mbarë në Bypass-in e Tepelenës????

Posted by Edi Rama on Monday, July 13, 2020