“Shi në plazh”, Shërbimi Meteorologjik: Era do të jetë problematike, ja parashikimi i motit për ditët në vazhdim
Java nis me ditën e Hënë me kushte jo të qëndrueshme meteorologjike. Sipas Shërbimit Meteorologjik moti do të nisë me kthjellime por shumë shpejt do të vijojnë shtimet e vranësirave mesatare deri të dendura.
Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.
Nga orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet malore dhe ato kodrinore reshjet me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive e lokalisht rebesh shoëruar me breshër.
“Duke filluar nga dita e Martë nis përmirësimi i kushteve atmosferike. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët si dhe vranësira kalimtare nga orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet malore dhe zonat përreth tyre.
Në këto zona do të ketë reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe stuhive dhe në zonën e juglindjes edhe rrebeshe shoqëruar me breshër. Duke nisur nga dita e Mërkurë deri ditën e Premte moti do të jetë i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në orët e mesditës” njofton Shërbimi.
Por duhet theksuar se, sipas Shërbimit, deri ditën e Premte do të jetë elementi i erës që do të jetë problematik kryesisht për ata që ndodhen me pushime përgjatë vijës bregdetare. Ajo do të jetë relativisht intensive me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut dhe shpejtësi mesatare 4-8m-s. Hera-herës era me rrahje me shpejtësi deri në 10-18m-s.