Bypass-i Vlorës, Gjiknuri: Aks i rëndësishëm drejt destinacioneve më të bukura turistike të jugut
Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri tha sot se “është hapur traseja e re dhe ka filluar asfaltimi edhe në kilometrat e para të bypass-it të Vlorës”.
Gjiknuri solli pamje të kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore ku punimet po avancojnë ritëm të lartë”.
“Në vitin 2018 nuk munguan skeptikët kur bashkë me Autoritetin Rrugor Shqiptar arritëm të zgjidhim ngërçin e trashëguar ligjor, zhvilluam garat e reja, firmosëm kontratat dhe rifilluam punën në kantieret e braktisura të bypass-it të Fierit dhe atij të Vlorës”, tha Gjiknuri.
Sot, ai theksoi se “po korren frytet e kësaj pune të gjatë për zgjidhjen e nyjes bllokuese në arterien më strategjike për zhvillimin e turizmit”.
“Kompania kontraktore përmbylli me sukses ndërtimin e bypass-it të Fierit. Siç mund ta shikoni në këto imazhe është hapur traseja e re dhe ka filluar asfaltimi edhe në kilometrat e para të bypass-it të Vlorës, veprës së dytë infrastrukturore ku kompania tjetër kontraktore po avancon me ritëm punimet”, tha ai.
Gjiknuri tha se “të gjithë ata që panë me skepticizëm, shumë shpejt do të kenë rastin t’i përshkojnë me automjet që të dyja akset njëri pas tjetrit drejt destinacioneve më të bukura turistike të bregdetit të jugut”.