“Mall për Vlorën”/ Videomesazhet e vlonjatëve që mezi presin të kthehen për pushime në qytetin e lindjes
“Mezi pres të kthehem në Vlorë me fëmijët e mi!” Presim hapjen e kufirit për të kaluar pushimet në Vlorë!”, këto janë vetëm disa nga mesazhet e qytetarëve vlonjatë, që jetojnë jashtë vendit dhe kanë mall për qytetin e mrekullueshëm bregdetar të Vlorës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Fate Velaj ka realizuar një videomesazh, “Mall për Vlorën”, ku ka bashkuar vlonjatët jashtë kufirit.
Anni, një vajzë e cila jeton me bashkëshortin e saj në SHBA, New York shprehet se ka mall për Vlorën dhe ka dëshirë t’ia tregoj edhe bashkëshortit të saj. “Unë kam lindur në Vlorë dhe jetoj në New York bashkë me familjen time. Kam shumë dëshirë t’ia tregoj bashkëshortit”,- tha Anni.
Bashkëshorti Christopher, thotë se mezi pret të udhëtojë drejt Vlorës. “Mezi pres ta vizitoj Vlorën e bukur, të shoh plazhin spektakolar dhe zonat atraktive të pabesueshme. Shpresoj të vij sa më shpejt”, thekson ai.
Ndërkohë Mario nga Teksasi i SHBA, shprehet se ndjen mungesën e të shëtiturit në Vlorë. “Na mungon Vlora, shumë”,- thekson ai. “Këtu është një mbrëmje e mrekullueshme, por do dëshironim vërtet të ishim në plazhet e Vlorës së bashku me familjet tona”, – shprehet bashkëshortja e tij, Carson.
Bimi Gunbardhi nga Bremeni i Gjermanisë thekson se mezi pret që çdo gjë të shkojë në vendin e vet që të udhëtojë drejt Vlorës. “Urojmë që çdo gjë të rregullohet, biletat i kemi gati dhe urojmë të nisemi sa më shpejt drejt Vlorës për të kaluar tre javë të mrekullueshme muzike dhe frymëzimi në bregdetin e bukur”, u shpreh ai.
Genci Tepelena, nga Milano thotë se “dëshirën më të madhe e kam që pushimet t’i kaloj në bregdetin e Vlorës. Të festojmë daljen nga pandemia atje, bashkë me familjen time”.
Nga Praga, Paola Rrapaj thotë se e ka marrë malli për Vlorën. “Është dashuria ime, më bën ta ëndërroj. Miqtë dhe familjarët që kam atje ma bëjnë edhe më të madhe dëshirën për t’u kthyer në Vlorë”, tha ajo.
Eno Peçi nga Viena, kërkon t’ia prezantojë fëmijëve të tij Vlorën. “Më ka marrë malli për Vlorën, mezi pres t’ia tregoj fëmijëve të mi bukurinë e Vlorës”.
Deputeti Fate Velaj pas këtyre mesazheve thekson se këto janë vetëm disa nga shqiptarët në të gjithë botën që janë nga Vlora dhe që i merr malli për Vlorën.