Konispol/ Zyra e aplikimit për mjete biometrike identifikimi, lehtësi për mijëra qytetarë
Niveli i sigurisë në Konispol është në parametra të kënaqshëm. Qytetarët e kësaj bashkie prej një viti kanë pranë bashkisë zyrën e aplikimit për dokumentet biometrike, që i shërben një komuniteti prej mijëra banorësh, të cilët udhëtonin dhjetëra kilometra deri në Sarandë për t’u pajisur me pasaporta apo karta identiteti.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në kuadër të vizitës në jug të vendit, zhvilloi një takim në Bashkinë e Konispolit. Ai u prit nga Kryetari i Bashkisë Shuaip Beqiri dhe morën pjesë në takim Prefekti Flamur Mamaj, deputeti Andrea Marto, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe të zgjedhur lokalë.
Në këtë bashki, prej 1 viti është hapur një zyrë aplikimi për dokumentet biometrike, që i shërben një komuniteti prej mijëra banorësh, të cilët udhëtonin dhjetëra kilometra deri në Sarandë për t’u pajisur me pasaporta apo ID karta.
“Së pari, ne vizituam zyrën e aplikimit për karta dhe pasaporta, e cila funksionon tashmë prej një viti me efektivitet të plotë, duke ofruar mundësi të mira për qytetarët e kësaj zonë, që detyroheshin të merrni udhë të gjatë për të bërë aplikimin. Kjo tashmë nuk është e nevojshme sepse aplikimin e bëjnë këtu.”,- tha Lleshaj
“I ftoj qytetarët që duke zbatuar masat e sigurisë në kushtet e pandemisë të vazhdojnë aplikimin, ndonëse qeveria e ka zgjatur afatin e vlefshmërisë së kartave dhe pasaportave deri në fund të vitit, me qëllim që t’u vihen në shërbim qytetarëve. Megjithatë zyra është e hapur dhe duhet të funksionojë dhe duhet të shfrytëzohet.”,- vijon Lleshaj
“Shohim me kënaqësi që niveli i sigurisë në Konispol, është në parametra të kënaqshëm, madje më mirë sesa në zona të tjera. Kemi lënë detyra dhe do ta ndjekim në vijueshmëri zbatimin e tyre, sa i përket rritjes së forcës goditëse dhe parandaluese të Policisë në raport me krimin, duke u fokusuar tek krimi i rrugës, ose krimet e vogla që quhen, por që sjellin pasoja të mëdha, siç janë vjedhjet, këtu më pak, por në Bashkitë fqinje më shumë.”,- tha ministri Lleshaj
“Kemi ndërmend që këto detyra t’i ndjekim në vijueshmëri me qëllim që ta rritim sa të jetë e mundur më shumë, nivelin e sigurisë në këtë zonë, skaji jugor i Shqipërisë, që duhet të jetë po ashtu një nga modelet më të mira të saj.”,- mbylli Lleshaj fjalën e tij.