Shtimi i rasteve me COVID-19, Komiteti Teknik merr vendimin: Shtyhet hapja e transportit publik
Komiteti Teknik i Ekspertëve merr vendimin për të mos u kthyer pas, pavarësisht shtimit të rasteve me koronavirus që pas hapjes së madhe.
Kryetarja e komitetit teknik të ekspertëve, Mira Rakacolli në një deklaratë të transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Edi Rama tha se nuk është e nevojshme të aplikohen kufizime të reja.
Ndërkaq është vendosur shtyrja me një javë hapja e transportit publik.
“Pas vlerësimit të situatës aktuale epidemiologjike, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ketë kthim mbrapa, por për më shumë siguri, u rivlerësua shtyrja e transporti publik me të paktën 1 javë, si aktivitet me rrezikshmëri të lartë,” shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook.
Deklarata e Prof. Mira Rakacollit:
Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.
Gjithsësi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.
Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike.
Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.
Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intesivisht nëpërmjët inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi sin ë fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses.