Tërhiqet Greqia, shtyn me dy javë hapjen e kufijve me Shqipërinë për shkak të Covid-19
Shqipëria dhe Greqia ranë dakord dy ditë më parë për hapjen e kufijve ajrore dhe nisjen e fluturimeve mes Athinës dhe Tiranës në 15 qershor.
Dhe pikërisht atëherë kur shumë ndoshta ka nisur planet e lëvizjes, ministri grek i Turizmit ka dhënë një tjetër lajm.
Sipas tij, fluturimet ajrore do të jenë vetëm për ata që kanë leje qëndrimi dhe çështje pune, por jo për turistë.
E njëjta gjë është vendosur edhe për pikat tokësore dhe detare. Nuk do të lejohen kalimet e mjeteve për qëllime turistike, por vetëm ato me autorizim të posaçëm, ose për çështje pune.
E vetmja klauzolë, që e bën deri diku të pranueshëm këtë vendim është leja për të kaluar në tokën greke shqiptarët që kanë dokumente të përhershme në shtetin grek.
Ndërkohë, autoritetet doganore e kanë marrë tashmë vendimin e ministrisë dhe janë njoftuar përmes rrugëve zyrtare të gjitha pikat e ndërlidhjes.
I njëjti vendim është marrë edhe për Maqedoninë Veriore, me të cilën do të ketë vetëm fluturime për çështje pune, por jo turizmi.