Nënshkruhet marrëveshja, hyrje falas në muzetë e Gjirokastrës

Nisma e Bashkisë Gjirokastër për t’i bërë falas hyrjet në muzetë e qytetit është konkretizuar sot me anë të një marrëveshje të nënshkruar me Ministrinë e Kulturës. Ministrja Elva Margariti ishte në Gjirokastër për ta zyrtarizuar këtë vendim që ndihmon sektorin e turizmit.

“Pas uljes së çmimit të biletave të muzeve dhe siteve arkeologjike, po dhurojmë një sasi biletash, të cilat mund të përdoren nga operatorët hotelierë, si një ftesë bukur drejt Gjirokastrës.

E nisim me këtë nënshkrim simbolik me kryetarin e Bashkisë, Flamur Golemi, për të vijuar me të tjera nisma të përbashkëta. Është koha që të njohim më mirë vendin tonë dhe pasuritë e tij, ende të pashfrytëzuara”, thotë Margariti.

Për kryebashkiakun Flamur Golemi “kjo marrëveshje pason nismën e Bashkisë Gjirokastër për vizitat falas në muzetë e qytetit për turistet që do të prenotojnë në hotelet e Gjirokastrës”.

“Jam i bindur që do të vijojmë bashkëpunimin e shkëlqyer me Ministrinë e Kulturës për të gjitha projektet e nisura në Gjirokaster dhe që tashmë e kanë kthyer bashkinë tonë në destinacionin kryesor turistik të Jugut”, thotë Golemi.