“Monstra e Kavos”/ Përdhunuesi serial theu këmbën kur policia po e ndiqte, detajet
Përdhunuesi serial, të cilin mediat e kane mbiquajtur “ Monstra e Kavosit”, është në gjendje të rëndë në spital pas rënies në një rrëpirë teksa përpiqej t`i shpëtonte policisë në Korfuz.
Prej rrëzimit nga një lartësi prej më shumë se 30 metrash, Dimitris Aspiotis ka thyer një këmbë, legenin dhe shpinën e i është çarë njëra veshkë.
Policia ishte vënë në gjurmët e 47 vjecarit pasi ai përdhunoi për 48 orë një grua shqiptare 34 vjece, të cilën e kishte tërhequr zvarrë në pyll nën kërcënimin e thikës.
“Përbindëshi i Kavosit” u lirua në një mënyrë mjaft të diskutueshme nga burgu gushtin e vitit të kaluar. Aspiotis ishte dënuar me 52 vjet burg për agresion seksual ndaj 6 femrave, përfshirë turiste të huaja, por prej kohës së dënimit, nuk shlyu veçse 7 vjet.
Një prej viktimave të tij, stuardesa britanike Kayleigh Morgan hoqi dorë nga e drejta e saj për të ruajtur anonimatin vetëm që të fshikullonte qeverinë e Athinës për lirimin e agresorit të saj.
“ Dua të di përse ka dalë ky njeri nga burgu. Nuk e besoj se ai ka ndryshuar. Njerëz të tillë nuk ndryshojnë”, qe shprehur atëherë 32 vjeçarja. Zona ku ra Aspiotis ka një terren mjaft të vështirë dhe ekipeve të shpëtimit iu deshën më shumë se dy orë e gjysëm për ta nxjerrë prej andej.