Basha, videokonferencë me kryeministrin e Greqisë: Do të na vërë në dispozicion strategjinë për turizmin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një videokonferencë me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për të folur mbi situatën aktuale të krijuar nga pandemia.
Në një postim në Facebook, Basha bën të ditur se e ka falënderuar Mitsotakis-in për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonalë nga Shqipëria në këto kohë të vështira.
Pata kënaqësinë të zhvilloja një videokonferencë me kryeministrin e Greqisë z. Kyriakos Mitsotakis për të diskutuar situatën e krijuar nga pandemia por dhe masat e ndërmarra për përballimin e saj.
Gjatë bisedës, e falenderova kryeministrin grek për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonalë nga Shqipëria në këto kohë të vështira.
Sa më shumë mundësi punësimi për qytetarët shqiptarë aq më mirë është për ekonominë tonë në këtë kohë krize. Shqiptarët në Greqi dhe komuniteti grek në Shqipëri janë ura të rëndësishme lidhëse mes dy popujve tanë.
Në këtë drejtim diskutuam edhe mundësinë e ndihmës për sektorin e turizmit shqiptar për të cilin kryeministri Mitsotakis u shpreh i gatshëm të na vërë në dispozicion strategjinë e tyre të menaxhimit të turizmit në këtë kohë pandemie.
Në emër të PD e falenderova kryeministrin grek për vullnetin e shprehur për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Gjithashtu i shpreha mirënjohjen si kryetar i Nea Demokracia, simotrës tonë në Partinë Popullore Evropiane, për mbështetjen e dhënë nga PPE në promovimin e reformave të domosdoshme dhe përmbushjen sa më parë të 15 kushteve për integrimin evropian të Shqipërisë.
Nga ana e tij, kryeministri Mitsotakis më siguroi se Greqia dëshiron dhe do të ndihmojë për një Shqipëri evropiane, demokratike dhe me një ekonomi të zhvilluar.