EMRAT/ OFL ‘zhvendoset’ në Vlorë, u dërgon formularin 4 personave për pasurinë
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
-Edison Begaj, banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar përfundimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”;
– Elton Çobo, banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi është dënuar në Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe është bërë njohja e vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, në vitin 2019;
– Tesi Basho, banues në Vlorë, i arrestuar dhe nën hetim për veprën penale “Shtrëngim për dhënie të pasurisë”;
Luan Kanani, banues në Vlorë, subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 5 vite burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.