Denoncoi konsullatën greke në Gjirokastër, OMONIA sulmon Marin Memën dhe Top Channel: Emision i neveritur, të ndërhyjë shteti

Pas denoncimit në emisionin ‘Gjurmë Shqiptare’ të gazetarit Marin Mema në Top Channel, se një banori të fshatit Sopik iu hoq viza e posacme nga Konsullata Greke në Gjirokastër vetëm sepse deklaroi që fshati i tij është i banuar nga shqiptarë, ka reaguar organizata OMONIA.

Përmes një deklarate OMONIA sulmon gazetarin Marin Mema, televizionin Top Channel dhe shtetasin Odise Gremo, të cilin e quan të sëmurë e të manipuluar.

Nuk është hera e parë që OMONIA sulmon Marin Memën, i cili kujtojmë se figuron si person ‘non grata’ në shtetin fqinj.

Deklarata

Denoncojmë me theksim të posaçëm përmbajtjen por edhe mjetet e përdorura në ushtrimin e të ashtuquajturit funksion gazetarie, në emisionin “Gjurmë Shqiptare” të producentit Marin Mema, që u transmetuar të Shtunën, 9 Maj 2020.

Ai vijoi me motivet e tij tanimë të njohura të kultivimit të klimës antihelene duke targëtuar drejtpërdrejtë Minoritetin Etnik Grek autokton.

Bëhet fjalë për një person në mision të porositur ku financuesit, ata sa lëvizin në prapaskenë dhe orkestruesit janë tanimë të njohur.

Nga kjo pikëpamje akoma një herë tjetër i ekspozuar është Stacioni Televiziv “Top Channel” përsa i përket detyrimit që ka për të kontribuar në bashkekzistencën sociale si parakusht për mirëqenien e shoqërisë mbarë.

Për më tepër emisioni në fjalë u përgatit duke përdorur kësaj radhe instrumente që refuzohen nga praktikat e mira dhe legjislacioni analog mbi informimin publik sikundër: kamerat e fshehta, regjistrime pa dijeninë e bashkëbiseduesit, manipulim personash që vuajnë nga sëmundje, përgjime etj.

Këto metoda kanë dëmtuar në veçanti jo vetëm pjesëtarë të Komunitetit Etnik Grek në të shkuarën jo të largët por shoqërinë shqiptare mbarë.

Natyrisht “rifinitimi” me pikëpamje të ashtuquajturish akademikë apo pjesëtarë të Grupit të Helsinkit etj. nuk e mbulojnë lakuriqësinë e producentit përsa i përket objektivit, por përkundrazi ekspozojnë edhe vetë ata.

I ekspozojnë ngaqë detyrim së pari i intelektualëve të kohës nuk është veçse të mësuarit e shoqërisë me parime dhe vlera të tjera. Me parësor detyrimin për respektim të të ndryshmes dhe promovimin e minoriteteve.

Kjo është sa dikton realiteti dhe arritjet Europiane dhe në veçanti në Ditën e Europës që u zgjodh bile për transmetimin e këtij emisioni të neveritur.

Producenti në fjalë dhe sa pas tij kujtojnë se fshihen duhet të marrin parasysh përgjegjësinë përsa i përket pasojave që mundet të sjellë kultivimi sistematik i urrejtjes kundrejt Minoritetit Etnik Grek, pjesëtarëve dhe institucioneve të tij.

Madje shembuj nga irritime të tilla respektive për fat të keq ekzistojnë.

Paralajmërojmë se klloçitja e vezëve të gjarprit të nacionalizmit është lojë e rrezikshme. Shteti e ka për detyrë të reagojë përderisa pretendon se tregon kujdes për shmangien e manifestimeve që mbarështrojnë urrejtjen ndëretnike dhe racizmin.

Për më tepër sikundër ndodh në shtetet ku mbizotëron ligji detyrim i tij është, dhe ja rikujtojmë, mbrojtja e minoriteteve etnike e të tjera si parakusht i koherencës së brendshme, kusht pa të cilin nga ana e vetë për mirëqenie dhe prosperitet, – përfundon komunikata e OMONIA.