Greqi, nis relaksimi i masave kundër koronavirusit! Ç’pritet më 4 maj?

Nga sot në Greqi pritet relaksimi gradual i masave të koronavirusit me hapjen e zyrave të kreditimit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë për raste të caktuara.

Kjo ka të ngjarë të pasohet nga hapja e dyqaneve të vogla dhe parukierive të hënën e ardhshme, në 4 maj, me një kufi prej dy klientësh maksimumi brenda hapësirave të tyre. Në fund të majit, restorantet, baret dhe kafenetë me karrige jashtë gradualisht do të rihapen, pa u shërbyer klientëve në zonën e tyre të mbyllur.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas tha për gazetën Kathimerini se dalëngadalë do të lëvizet edhe drejt çeljes së bizneseve të mëdha dhe kompanvie të kateringut. Kishat sipas tij do të hapen për adhurim individuale në një fazë të parë dhe me masa specifike mbrojtëse.

Më shumë detaje rreth zbutjes graduale të izolimit të jepen gjatë fjalimit televiziv të kryeministrit Grek të martën pasdite. Deri tani, Greqia ka gjithsej 2.517 raste dhe 134 vdekje të lidhura me koronavirusin. Numri i personave në njësitë e kujdesit intensiv në të gjithë vendin vazhdon të bjerë dhe aktualisht, shënon 46. Në shtetin fqinj janë kryer gjithsej 64.608 teste për COVID-19.