Pipero: Do të ketë valë të dytë koronavirusi, por do të jetë më e butë
Doktori Pëllumb Pipero, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2, është shprehur se “numri i pakët i shtrimeve ditore në spital është një e dhënë e mirë” dhe shtoi se është pro lehtësimit të masave.
“Është i domosdoshëm lehtësimi i masave tani që jemi në fazën e dytë, por e kemi vetë në dorë që të vijojë ky lehtësim masash apo të kthehemi mbrapa.
Të distancohemi, të mbajmë maska kur hyjmë në ambiente publike, të mbajmë radhën me distancë etj.
Nëse respektojmë këto këshilla, çdo gjë do të jetë pa pasoja. Jam pro lehtësimit të masave për bizneset dhe moshat e reja”, tha Pipero.
Kur u pyet për një valë të dytë të koronavirusit, mjeku u shpreh: “Për mendimin tim, vala e dytë parashikohet për në fund të vjeshtës ose në fillim të dimrit.
Mendoj se do të jetë më e butë, pasi një pjesë e madhe e popullatës fiton imunitet dhe virusi duke kaluar nga një person te tjetri e humbet agresivitetin. Shpresojmë që të mos ketë, por është shumë e vështirë që të mos ketë valë të dytë”.