Myftiu i Sarandës Bledar Mullai, uron besimtarët me rastin e muajit të Ramazanit

Ditën e nesërme në gjithë botën besimtarët myslimanë fillojnë muajin e shenjtë të Ramazanit.

Edhe në Sarandë besimtarët myslimanë do nisin agjerimin në këtë muaj të shenjtë.

Myftiu i Sarandës, Bledar Mullai, në një mesazh publik uroi besimtarët me një agjerim të lehtë.

“Muaji i Ramazanit është muaji më i veçantë në kalendarin e besimtarëve myslimanë.

Është muaji i faljes hyjnore, muaji i mëshirës, është muaji shpërblimit të madh nga Zoti. Është një muaj që besimtari fizikisht, shpirtërisht, dhe përkushtimi i madh, me mirësinë, me bujarinë, me durimin që tregon, me dëshirën për të përmirësuar veten e tij, besimtari në këtë muaj gjen veten e tij, krejtësisht ndryshe.

Unë kam kënaqësinë të ju uroj një agjerim të mbarë, një agjerim të lehtë, Zoti i lartësuar qoftë me ju, në shtëpinë tuaj, në familjen tuaj, në punën tuaj kudo që jeni.

Sidomos në këto ditë të vështira që ndodhet vendi jonë për shkak të virusit, neser do hyjmë në këtë muaj të begatë ndryshe nga seç jemi mësuar. Duke ju lutur Zotit që në ditët në vijim situata të lehtësohet, të frekuentohen xhamitë, dhe ritualet të bëhen të përbashkëta.

Agjerim të mbarë dhe Zoti qoftë me ju”, shprehet myftiu Bledar Mullai. /Sarandanews.com/